Një raketë misterioze “përfshiu” qiellin e Floridës, a ishte ajo supersonike Dark Eagle?

Një raketë e paidentifikuar është lëshuar të enjten nga Cape Canaveral Space Force Station në verilindje të Floridës, duke përshkuar Oqeani Atlantik dhe duke lënë pas një gjurmë të bardhë të dukshme në qiellin e pasdites. Ngjarja, e regjistruar rreth orës 12:30 sipas kohës lokale, ka ngritur pikëpyetje pasi nuk kishte asnjë mision të planifikuar nga kompanitë kryesore të lëshimeve në zonën e njohur si “Space Coast”. Deri më tani, Pentagoni nuk ka dhënë asnjë koment lidhur me këtë aktivitet.
Mungesa e informacionit zyrtar ka shtuar spekulimet, sidomos në kontekstin e testeve të mëparshme të armëve hipersonike nga Shtetet e Bashkuara. Në prill të vitit 2025, Marina amerikane realizoi një provë të një rakete hipersonike me shpejtësi të lartë, ndërsa në dhjetor 2024, ushtria dhe marina amerikane zhvilluan një test të fshehtë të sistemit “Dark Eagle” nga i njëjti kompleks lëshimi.
I njohur zyrtarisht si Long-Range Hypersonic Weapon (LRHW), sistemi Dark Eagle përfaqëson një nga projektet më të avancuara të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve. Ai përfshin një mjet lëshimi me rreze të gjatë dhe një trup rrëshqitës hipersonik, i aftë të arrijë shpejtësi shumë të larta dhe të depërtojë mbrojtjet ajrore të kundërshtarit.
Sipas të dhënave zyrtare, sistemi ka një rreze veprimi prej rreth 2,770 kilometrash dhe është projektuar për të goditur objektiva strategjikë në një kohë shumë të shkurtër. Megjithatë, ai nuk është një armë bërthamore, por një sistem konvencional që përdor teknologji të avancuar hipersonike. Ndërsa autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar nëse lëshimi i fundit lidhet me këto programe, mungesa e transparencës ka nxitur interes dhe shqetësim mbi natyrën e këtij operacioni.