Rriten çmimet e gazit në Evropë pas kërcënimeve të Trump ndaj Iranit

Çmimet e gazit natyror në Evropë shënuan një rritje të lehtë, pas deklaratave nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi për goditje ndaj infrastrukturës kritike në Iran nëse nuk arrihet një marrëveshje për përfundimin e konfliktit brenda afatit.
Çmimet referencë të gazit u rritën deri në 3.1%, ndërsa që nga fillimi i luftës kanë shënuar një rritje mbi 55%.
Në deklaratat e tij, Trump tha se ushtria amerikane mund të shkatërrojë “çdo urë në Iran” nëse nuk arrihet marrëveshja deri në orën 20:00 (me orën lokale) të 7 prillit.
Një tjetër pikë kyçe e ultimatumit ishte garantimi i lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit, të cilin ai e cilësoi si prioritet absolut për çdo marrëveshje.
Nga ana tjetër, Irani ka paralajmëruar se çdo sulm do të pasohet me kundërpërgjigje.
Për tregun europian të gazit, një krizë e zgjatur mund të komplikojë ndjeshëm përpjekjet për rimbushjen e rezervave, të cilat aktualisht ndodhen pak mbi 28%. Edhe pse pjesa më e madhe e furnizimeve nga Lindja e Mesme zakonisht shkon drejt Azisë, tensionet e vazhdueshme mund të rrisin konkurrencën globale për sasi të kufizuara të gazit të lëngshëm (LNG).


