“Shqiptarja do të bënte çdo lloj pune”, emaili në dosjen Epstein ekspozon rekrutimin e vajzave të reja

“Vajza shqiptare do të bënte gjithashtu çdo lloj pune që kërkohet, megjithatë dokumentet e saj paraqesin komplikime. Videoja është në dispozicion”. Kështu shkruhet në një prej emaileve të përfshira në faqet e reja të publikuara nga dosja voluminoze e Epstein. Emaili daton më 29 mars 2017 dhe përmban referenca pune të vajzave të reja.
Nga ky shkrim, duket se vajza shqiptare nuk është një zgjedhje e favorshme. Duket se ajo bën pjesë te një sërë kandidatësh që janë vlerësuar për rekrutim.
“Kandidatë të tjerë janë gjithashtu në proces përzgjedhjeje, por nuk banojnë në New York”, thotë emaili.
Përmendet edhe një vajzë ruse 21-vjeçare, për të cilën thuhet:
“Duhet ta takosh dhe ta punësosh nëse të pëlqen. Është 21 vjeçe, e arsimuar në SHBA, ka vizë pune amerikane, ish-profesioniste, do vërtet një punë dhe është e lumtur të bëjë çfarë t’i kërkosh. Është shumë e bukur, joshëse, e thjeshtë dhe kureshtare për gjërat e reja, është si unë para 6 vitesh. E vetme në një vend të ri duke kërkuar për më të mirën dhe e dobët. Patëm një bisedë të mrekullueshme”, thuhet në pëshkrimin e hollësishëm.
Që në fillim të emailit bëhet me dije se përfshihen edhe fotot e secilit person të përzgjedhur, duke treguar si funksiononte procesi i rekrutimit në rrjetin e ngatërruar të pedofilit Epstein.

Edhe në emaile të publikuara më parë, skema është e njëjtë. Sërish përmendet emri i një vajze shqiptare, e cila rezulton që të ketë aplikuar për një vend pune si asistente personale. Sipas materialeve, rezulton që e reja me iniciale E.T., të ketë aplikuar në mars 2017.
Fillimisht ajo ka dërguar një CV, një personi ndërmjetësi (emri i të cilit është i mbuluar në dokumente), duke shprehur interes për pozicionin e punës. Sipas të dhënave të CV-së që shqiptarja kishte dorëzuar për të aplikuar për këtë pozicion pune, rezulton se jetonte në Tiranë.
“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jetoj në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në emailin që ka dërguar e reja.
Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tre foto personale.
Pas marrjes së materialeve, i njëjti person ia përcjell email-in Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhet fjalë për një vajzë 21–22 vjeçe. Edhe pse në CV thuhet se vajza jeton në Tiranë, personi që i dërgon emailin Epstein i thotë se ajo jeton në Paris, duke e pyetur: “A duhet ta intervistoj këtë?”
Në listën e bashkëngjitjeve të email-it, përveç CV-së dhe fotografive, rezulton që e reja t’i ketë dërguar edhe një video për kandidimin e saj. Nga dokumentet nuk rezulton që vajza shqiptare të ketë pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein.
Vajzat shqiptare përmenden edhe në një email të Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, dërguar Epsteinit më 25 maj 2012, një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”, thotë emaili/Shqiptarja


