Spanja nis hetim ndaj X, Meta dhe TikTok për shpërndarje të dyshuar të materialeve të ab*zimit ndaj fëmijëve

Qeveria spanjolle ka urdhëruar prokurorët të hetojnë platformat e mediave sociale X, Meta dhe TikTok për shpërndarjen e dyshuar të materialeve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve të gjeneruar nga inteligjenca artificiale. Kështu ka deklaruar këtë të martë, kryeministri Pedro Sanchez.
Ky njoftim vjen ndërsa rregullatorët evropianë po ashpërsojnë masat ndaj kompanive të mëdha teknologjike, duke i akuzuar për praktika abuzive në platformat online, që variojnë nga sjellje anti-konkurruese në reklamat digjitale deri tek dizajni i qëllimshëm i veçorive që krijojnë varësi në rrjetet sociale.
Rritja e vëzhgimit global ndaj platformave teknologjike
“Këto platforma po minojnë shëndetin mendor, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve tanë,” shkroi Sanchez në llogarinë e tij në X. “Shteti nuk mund ta lejojë këtë. Duhet t’i jepet fund pandëshkueshmërisë së këtyre gjigantëve.”
Ai tha se qeveria do t’u kërkojë prokurorëve të “hetojnë krimet që X, Meta dhe TikTok mund të jenë duke kryer përmes krijimit dhe shpërndarjes së pornografisë së fëmijëve duke përdorur Inteligjencën Artificiale”.
Spanja nuk është i vetmi vend që po heton përmbajtje seksuale të gjeneruar nga chatbot-i Grok i xAI të Elon Musk në X. Edhe qeveri të tjera kanë nisur hetime, ndalime dhe kërkesa për masa mbrojtëse në një përpjekje globale në rritje për të frenuar materialet e paligjshme.
Më herët këtë muaj, Sanchez shpalli disa masa për të frenuar abuzimin online dhe për të mbrojtur fëmijët, përfshirë një ndalim të propozuar për aksesin në platformat e mediave sociale për ata nën moshën 16 vjeç.
Po atë ditë, policia franceze bastisi zyrat e X të Musk-ut dhe prokurorët urdhëruan miliarderin e teknologjisë të përballet me pyetje në një hetim të zgjeruar, mes rritjes së vëzhgimit të autoriteteve në mbarë Evropën.
Në nëntor, Sanchez tha se parlamenti i Spanjës do të hetonte Meta-n për shkelje të mundshme të privatësisë së përdoruesve të Facebook dhe Instagram.
Ndërkohë, Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave në Irlandë tha të martën se kishte hapur një hetim formal mbi Grok lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe potencialin e tij për të prodhuar imazhe dhe video të dëmshme të seksualizuara, përfshirë edhe të fëmijëve.


