Stuhi vdekjeprurëse në Gadishullin Iberik/ Humb jetën një zjarrfikës në Portugali, mijëra të evakuuar në Spanjë

Një zjarrfikës portugez humbi jetën sot gjatë një patrullimi për njohje dhe monitorim në brigjet e një lumi, në zonën Campo Maior, në qarkun Portalegre, njoftoi Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile të Portugalisë.
Sipas mediave lokale, zjarrfikësi 46-vjeçar u mor nga rrjedha e ujit teksa po përpiqej të kalonte një zonë të përmbytur. Ai është viktima e parë e stuhisë “Marta”, e cila ka goditur sot Portugalinë dhe Spanjën fqinje.
Java e fundit ka qenë veçanërisht e rëndë për Portugalinë, pasi erërat e forta të stuhisë “Christine” shkaktuan vdekjen e pesë personave, ndërsa reshjet e stuhisë “Leonardo” sollën një tjetër viktimë të mërkurën.
Ndërkohë, si Portugalia ashtu edhe Spanja po përballen me reshje intensive shiu dhe erëra të forta, duke rritur frikën për përmbytje të mëdha dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Në Andaluzinë jugore të Spanjës, tokat janë tashmë të ngopura nga reshjet e fundit dhe rajoni është vendosur sërish në alarm portokalli. Sipas shërbimit meteorologjik spanjoll AEMET, kjo zonë është aktualisht epiqendra e reshjeve të dendura dhe erërave të forta.
Presidenti i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, e cilësoi situatën si “jashtëzakonisht të ndërlikuar”, duke deklaruar se dhjetëra rrugë janë bllokuar, qarkullimi hekurudhor është ndërprerë në shumë segmente dhe mbi 11 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre në zonat e prekura.
Autoritetet paralajmërojnë se dëmet ekonomike nga stuhitë “Leonardo” dhe “Marta” pritet të arrijnë në miliona euro, veçanërisht në sektorin e bujqësisë dhe infrastrukturës rrugore. Rajoni i Andaluzisë pritet të kërkojë ndihmë nga qeveria qendrore dhe nga Fondi i Solidaritetit i Bashkimit Evropian/SOT


