Takimi historik Trump–Xi në Pekin! Paralajmërimi për Tajvanin, ceremonia madhështore dhe mesazhet për botën

Presidenti kinez Xi Jinping paralajmëroi homologun amerikan Donald Trump se Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen në konflikt nëse Uashingtoni menaxhon gabimisht çështjen e Tajvanit. Deklarata u bë gjatë takimit të zhvilluar në Pekin, në një samit që po konsiderohet ndër më të rëndësishmit të viteve të fundit për marrëdhëniet mes Kinës dhe Amerikës.
Sipas televizionit shtetëror kinez, Xi theksoi se “çështja e Tajvanit është më e rëndësishmja në marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së”.
Ai paralajmëroi se, nëse kjo çështje trajtohet siç duhet, marrëdhëniet mes dy vendeve mund të mbeten të qëndrueshme, por në rast të kundërt mund të ketë përballje serioze mes dy fuqive më të mëdha ekonomike dhe ushtarake të botës.
Deklaratat e Xi u bënë publike menjëherë pas përfundimit të bisedimeve me dyer të mbyllura mes dy liderëve në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin. Takimi zgjati rreth dy orë dhe u fokusua kryesisht te tregtia, teknologjia, inteligjenca artificiale, Irani dhe tensionet në Azi.
Ceremoni madhështore në Tiananmen
Donald Trump u prit me nderime të larta shtetërore në sheshin Tiananmen, në zemër të Pekinit. Ceremonia u zhvillua me protokoll të rreptë shtetëror, me bandë ushtarake, tapet të kuq dhe himnet kombëtare të të dy vendeve.
Autokolona e presidentit amerikan mbërriti në shesh në orët e para të mëngjesit sipas orës europiane, ndërsa Xi Jinping e priti personalisht përpara Pallatit të Madh të Popullit, ku zhvillohen ngjarjet më të rëndësishme politike në Kinë.
Të dy liderët ecën mbi tapetin e kuq përballë gardës ushtarake, ndërsa pranë tyre ndodheshin fëmijë me flamuj amerikanë dhe kinezë që i përshëndesnin. Trump përshëndeti delegacionet zyrtare amerikane dhe kineze para nisjes së takimit.
Xi: Bota ndodhet në një udhëkryq të ri
Në deklaratat hapëse, presidenti kinez foli për një periudhë të re pasigurie globale dhe tha se “transformime që nuk janë parë prej një shekulli po përshpejtohen”.
“E gjithë bota po ndjek takimin tonë. Situata ndërkombëtare është e paqëndrueshme dhe e trazuar”, deklaroi Xi.
Ai iu referua edhe teorisë së njohur si “Kurthi i Tukididit”, që përshkruan rrezikun e konfliktit mes një fuqie në ngritje dhe një fuqie dominuese, duke marrë si shembull luftën mes Athinës dhe Spartës në Greqinë e lashtë.
“Pyetja është nëse Kina dhe SHBA mund ta shmangin këtë kurth dhe të ndërtojnë një model të ri marrëdhëniesh mes fuqive të mëdha”, tha presidenti kinez.
.@POTUS greets Chinese President Xi Jinping at the Great Hall of the People pic.twitter.com/wXkwVPg6fS
— Rapid Response 47 (@RapidResponse47) May 14, 2026
Xi bëri thirrje që dy vendet të bashkëpunojnë përballë sfidave globale dhe të zgjedhin partneritetin në vend të rivalitetit.
“Duhet të jemi partnerë dhe jo kundërshtarë. Duhet të përparojmë bashkë dhe të ndërtojmë një mënyrë të drejtë bashkëjetese për fuqitë e mëdha në epokën e re”, deklaroi ai.
Trump: Kam respekt të madh për Xi dhe Kinën
Nga ana e tij, Donald Trump përdori tone shumë më miqësore ndaj Kinës dhe liderit të saj.
Presidenti amerikan e quajti marrëdhënien me Xi Jinping “fantastike” dhe tha se ka “respekt të madh” për Kinën dhe popullin kinez.
“Është nder të jem këtu dhe të jem mik i juaji. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës do të bëhen më të mira se kurrë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se të dy vendet “do të kenë një të ardhme të mrekullueshme së bashku”, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Vizita simbolike në “Temple of Heaven”
Pas përfundimit të bisedimeve, Trump dhe Xi vizituan “Temple of Heaven”, një nga monumentet historike dhe kulturore më të rëndësishme të Pekinit.
Trump u shpreh para kamerave se “Kina është e mrekullueshme”, ndërsa vizita kishte edhe simbolikë diplomatike. Pikërisht në këtë vend kishte zhvilluar një vizitë sekrete në vitin 1971 diplomati amerikan Henry Kissinger, një moment historik që hapi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kinës.
Kompleksi historik, i ndërtuar gjatë dinastisë Ming në shekullin XV, ishte mbyllur për publikun disa ditë para vizitës së presidentit amerikan.
Në fokus: tregtia, teknologjia dhe Irani
Samiti Trump–Xi u përqendrua në disa nga çështjet më kritike globale, përfshirë: marrëdhëniet tregtare SHBA–Kinë, kufizimet teknologjike, inteligjencën artificiale, krizën me Iranin, dhe tensionet rreth Tajvanit.
Në delegacionin amerikan morën pjesë edhe figura të njohura të teknologjisë dhe biznesit, përfshirë drejtuesin e NVIDIA, Jensen Huang, dhe CEO-n e Apple, Tim Cook.
Dy liderët pritet të marrin pjesë edhe në një darkë zyrtare shtetërore në Pekin, ndërsa takimi konsiderohet një përpjekje për të stabilizuar marrëdhëniet mes dy superfuqive në një moment tensionesh të larta globale.
NOW: President Trump and President Xi visit Temple of Heaven after having "great" talks.
— Fox News (@FoxNews) May 14, 2026
"China is beautiful." pic.twitter.com/xUEiLsm6Un


