Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon shfuqizimin e pezullimit nga funksionet publike

Belinda Balluku ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës të pezullimit nga ushtrimi i funksioneve publike.
Prokuroria e Posaçme vendosi të zgjasë hetime me 3 muaj për Belinda Ballukun dhe dy ish varësit e saj, drejtorët e mëparshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli, por edhe të pandehur të tjerë.
Prokuroria e Posaçme i akuzon ata për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në ndërtimin e tunelit të llogarasë dhe të gjitha lotet e Unazës së Madhe në kryeqytet.
Në fund të muajit prill, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit ushtruan kontrolle në të paktën 15 ambiente, që dyshohen si të lidhura me hetimet që SPAK po kryen ndaj ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Gjatë këtyre kontrolleve, janë sekuestruar shkresa, dokumente dhe aparate celularë, që nga ekstraktimi i të dhënave të rrjedhuara prej tyre mund të rezultojnë informacione të rëndësishme për grupin hetimor.
Kontrollet u janë nënshtruar disa të afërmve të ish- ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në kompani që ata janë zotërues aksionesh. Dy kompani të tilla janë XL Market dhe Hippo Tregu Elektrik.


