Trump kërcënon me tërheqje nga Ngushtica e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar sërish vendet aleate për mungesën e mbështetjes në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë strategjike që është bllokuar nga Irani pas sulmeve amerikano-izraelite, duke lënë të hapur mundësinë e një tërheqjeje të Uashingtonit nga kjo zonë.
Prej disa ditësh, Trump ka shprehur pakënaqësi ndaj vendeve kryesore aleate brenda NATO-s, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe, të cilat kanë refuzuar të ndihmojnë SHBA-në për rihapjen e këtij kalimi jetik, nga ku para konfliktit kalonte rreth 20% e naftës bruto globale.
“Nëse do t’i jepnim fund asaj që ka mbetur nga shteti terrorist iranian dhe do t’i linim vendet që e përdorin këtë ngushticë, jo ne. të mbanin përgjegjësinë për të, ndoshta disa nga ‘aleatët’ tanë joaktivë do të reagonin më shpejt”, shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social.
Megjithatë, deklaratat e tij kanë qenë të paqarta dhe kontradiktore.
Trump e cilësoi dje refuzimin e aleatëve si një “gabim shumë të madh”, por më pas tha se ndihma e tyre nuk ishte e domosdoshme, ndërsa shtoi se SHBA-ja do të donte pak ndihmë për zbulimin e minave në zonë.
Ndërkohë, ushtria amerikane ka goditur objektiva iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit me bomba të tipit antibunker duke synuar instalimet e raketave. Kjo rrugë detare është gjithashtu thelbësore për transportin e gazit natyror të lëngshëm, me rreth 20% të volumit global që kalon zakonisht përmes saj.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet në këtë zonë kyçe pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet globale të energjisë dhe stabilitetin rajonal./ORA


