Pse nuk uruan Ramën?! Urdhri i SHBA për diplomatët: Jo komente për zgjedhjet e drejtësinë kur ka konstestime

Bota

Pse nuk uruan Ramën?! Urdhri i SHBA për diplomatët: Jo komente

Në Shqipëri  por jo vetëm një fjalë, fotografi a mesazh nga Uashingtoni dhe përfaqësues të tij, është parë gjithmonë si konfirmim apo rrëzim i fateve të shumë personazheve lokale, politikave apo reformave të ndryshme. 

Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk dëshirojnë ta mbajnë më një rol të tillë, të paktën në publik. Administrata e Presidentit Trump ka vendosur të mos ndërhyjë më në zgjedhjet e vendeve të tjera, duke mos komentuar integritetin e tyre dhe as vendimet e drejtësisë, dy çështje që në Shqipëri janë parë gjithmonë si territore të influencës amerikane. 

Kjo qasje e re është përcjellë përmes një udhëzimi të fundit të Sektetarit të Shtetit Marco Rubio për të gjithë diplomatët amerikanë në mbarë botën, zbuluar nga agjencia e lajmeve Reuters. 

– VENDIMI I SHBA - “Kur është e përshtatshme të komentojmë për zgjedhjet e huaja, mesazhi ynë duhet të jetë i shkurtër, i përqendruar në përgëzimin e kandidatit fitues dhe, kur është e përshtatshme, në vënien në dukje të interesave të përbashkëta të politikës së jashtme. Mesazhet duhet të shmangin dhënien e mendimeve mbi drejtësinë ose integritetin e një procesi zgjedhor, legjitimitetin e tij ose vlerat demokratike të vendit në fjalë”.

Ky zhvillim vjen pak ditë pasi presidenti i SHBA, Donald Trump, gjatë një vizitë në Arabinë Saudite, kritikoi vendet perëndimore se po ndërhyjnë në politikën e Lindjes së Mesme. 

– VENDIMI I SHBA - “Ndërsa Shtetet e Bashkuara do t’i përmbahen fort vlerave të tyre demokratike dhe do t’i manifestojnë këto vlera kur vendet e tjera të zgjedhin një rrugë të ngjashme, Presidenti e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara do të ndjekin partneritete me të vendet kudo ku përputhen interesat tona strategjike”.

Ky zhvillim në Departamentin Amerikan të Shtetit me gjasë do të prekë edhe Shqipërinë, ku zyrtarisht nëpërmjet kontratave të lobimit partitë politike kërkojnë të influencojnë administratën amerikane.

Më e fundit është kontrata nëpërmjet një fondacioni shqiptaro amerikan, në favor të PD, që ka angazhuar firmën Continental Strategy, që synon promovimin e agjendës së PD në SHBA. 

Me ndërhyrjet e tyre publike në jetën politike dhe çështjet e drejtësisë, ambasadorët amerikanë në Shqipëri janë përkufizuar edhe si guvernatorë, një rol që të paktën gjatë kësaj administrate, do të duhet ta ridimensionojnë larg kanaleve të komunikimit publik. 

ME TE LEXUARAT