1 Maji në Kosovë, Kurti: Nga korriku paga minimale arrin në 500 euro

Kosovë&Rajon

1 Maji në Kosovë, Kurti: Nga korriku paga minimale arrin në 500

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përdorur 1 Majin për të paralajmëruar rritjen e pagës minimale në 500 euro nga 1 korriku.

Në mesazhin e tij për Ditën e Punëtorëve, Kurti vlerësoi kontributin e punëtorëve në zhvillimin e vendit, duke thënë se ata kanë qenë një nga shtyllat kryesore të qëndresës në periudha të vështira për Kosovën.

Ai kujtoi se paga minimale është rritur nga 170 në 425 euro, duke prekur rreth 150 mijë punëtorë.

Po ashtu përmendi programin “Superpuna”, përmes të cilit, sipas tij, janë punësuar mbi 23 mijë të rinj, si dhe vendosjen e pagës së 13-të në sektorin publik. Kurti tha se gjatë mandatit të qeverisë numri i të punësuarve është rritur nga rreth 350 mijë në 435 mijë.

Ai u ndal edhe te sfidat, veçanërisht mungesa e organizimit sindikal në sektorin privat, si dhe përmendi masat sociale si rritja e pensioneve dhe mbështetja për familjet në nevojë.

Në fund, Kurti rikujtoi origjinën historike të 1 Majit, që lidhet me protestat e vitit 1886 në Çikago, duke theksuar se të drejtat e punëtorëve nuk dhurohen, por fitohen përmes përpjekjes dhe organizimit.

ME TE LEXUARAT