"27 vite me plumb në trup”/ I mbijetuari i masakrës së Suharekës rrëfen tmerrin nga serbët

Një nga të mbijetuarit e masakrës së Suharekës, Gramoz Berisha, ka rrëfyer momentet e vështira që kaloi gjatë asaj periudhe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Berisha shkruan se kohët e fundit ka zbuluar se ka plotë 27 vite që jeton me një plumb në krahun e tij të majtë, pasi u plagos gjatë masakrës së Suharekës. Ai ka vijuar më tej me rrëfimin e tij, duke treguar detaje nga momenti kur ai dhe familja e tij, pas të shtënave me armë zjarri, u morën dhe u hodhën në një kamion ku ndodheshin shumë viktima.
Gramozi ka treguar se ia doli që të arratisej nga kamioni, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes së tij, por një pjesë e familjarëve nuk ia dolën. Ndërsa përsa i përket plumbit në krahun e majtë, ai ka treguar se mjekët i kishin thënë gjithmonë se kishte dalë nga trupi, por sipas tij, para 3 muajsh e mori vesh të vërtetën.
Reagimi i plotë i Gramoz Berishës:
27 vite më parë, kur bashkë me mamin kërcyem nga kamioni, unë isha i plagosur në krahun e majtë. Ajo plagë ma kishte mundësuar të shtiresha si i vdekur kur na kapën tek piceria dhe na hodhën në kamion bashkë me trupat e tjerë. Vite të tëra jam trajtuar për plagën në krahun e majtë. Të gjithë mjekët më kishin thënë se plumbi kishte rrëshqitur dhe nuk ishte më në trupin tim.
27 vite dhimbje, krenari, mungesë dhe përpjekje për të gjetur qoftë edhe një kockë të familjarëve tanë, që nuk arritën të kërcenin nga kamioni që i barte si kufoma. Unë, mami Vjollca dhe Shyhretja ishim të vetmit që kërcyem. Të tjerët shkuan me kamion. Edhe motra Dafina, edhe vëllai im Driloni, edhe babi Sedat. Të 49 anëtarët e familjes sonë shkuan. Kishte edhe të gjallë brenda. Kishte edhe thirrje për ndihmë nga kamioni. Por nuk kërcyen. Shkuan. Mbijetuam vetëm ne të tre. Para tre muajsh ndjeva një dhimbje të tmerrshme në krahun tim të djathtë. I bindur se nuk kishte asnjë lidhje me të kaluarën time, meqë plagën e kisha në krahun e majtë, iu drejtova mjekëve këtu në Shtutgart. Filluan ekzaminimet. Pas disa fotografimeve, nisën të më bëjnë pyetje:
— A mos keni qenë pjesë e ndonjë plaçkitjeje?
— Jo.
— A keni marrë pjesë në ndonjë shkëmbim zjarri?
— Po. Jam i mbijetuar… Ua tregova edhe plagën në krahun e majtë.
U mblodhën shumë mjekë. “ein Wunder”, përsëritnin.
Mjekët më treguan se në krahun tim të djathtë ndodhej plumbi që kishte synuar të ma merrte jetën para 27 viteve. Plumbi kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital.
Kjo ishte mrekullia që ata e quanin “ein Wunder”.
Unë mësova se gjatë gjithë kësaj kohe paskam mbajtur me vete metalin që e mposhta — që sot ta shijoj lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Gëzuar 17 shkurtin