Aksident tragjik në Greqi! Humbin jetën dy shqiptarë, zbulohen identitetet e viktimave (EMRAT)

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në ishullin e Kretës në Greqi, ku dy shtetas shqiptarë kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:30 në aksin rrugor Kissamos–Hania, pranë zonës së Kolimbarit. Sipas informacioneve paraprake, dy të rinjtë po udhëtonin me motoçikletë, kur, në rrethana që ende nuk janë sqaruar, humbën kontrollin e mjetit dhe u përplasën me barrierat anësore të rrugës. Përplasja rezultoi fatale, duke u marrë jetën në vend.

Viktimat janë identifikuar si Edison Xhaka, 28 vjeç, nga Elbasani, i cili prej vitesh jetonte dhe punonte në Kissamos, si dhe Aleksandër Toçila, 34 vjeç, nga Gramshi, i cili gjithashtu jetonte dhe punonte në zonë.
Lajmi ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi. Të dy përshkruhen nga të afërmit dhe bashkëqytetarët si djem punëtorë dhe të respektuar, me plane e ëndrra për të ardhmen, të ndërprera tragjikisht nga aksidenti.
Shoqata e shqiptarëve në zonë u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave dhe ka bërë thirrje për solidaritet me të afërmit e tyre në këto momente të vështira.
Sipas njoftimit, familja Xhaka pret ngushëllime në banesën e vëllait të madh të viktimës, Festim Xhaka. Ndërkohë, për familjen Toçila, pritjet do të zhvillohen në ambientet e Shoqatës së Shqiptarëve, e cila do të jetë e hapur nga ora 19:00.


