Djali i Jakup Krasniqit për gjyqin në Hagë: Besojmë në pafajësi

Djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi duke komentuar proceset gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë, ka deklaruar se besojnë në drejtësi dhe pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale në Hagë.
Ai gjatë një interviste në KosovaPress, ka hedhur poshtë çdo pretendim se të akuzuarit apo familjarët e tyre kanë kërkuar ndonjëherë zhbërjen e Gjykatës Speciale.
Krasniqi tha se ata si familjarë të Jakup Krasniqit, besojnë në drejtësi, por ka kritikuar zgjatjen e procesit, i cili ka krijuar pasiguri dhe paqartësi rreth qëllimit të vërtetë të gjykatës.
“Ne besojmë në drejtësi. Zgjatja e procesit ka krijuar një pasiguri për ne si edhe cili është qëllimi i kësaj gjykate. Por prapë se prapë ne besojmë në sistemin e drejtësisë. Besoj që dëshmitarët që ishin së fundmi, e kanë treguar që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e domosdoshme dhe ka qenë e drejtë dhe për lirinë e popullit shqiptar”, tha ai.
“Jo vetëm se e kam baba, por edhe kam lexuar, kam dëgjuar proceset për secilin prej të akuzuarve dhe e di që ata duhet të jenë të lirë, sepse kanë kontribuar dhe gjithmonë qëllimi i tyre ka qenë liria dhe shtet ndërtimi i vendit. Por për të cilën pjesë ata akuzohen, unë mendoj që tash këto dëshmi e kanë vërtetuar, ato që ne si shqiptarë e kemi ditur, por tash e dinë edhe botërisht që UÇK-ja ka qenë duke bashkëvepruar me NATO-n dhe shtetet aleate që e kanë ndihmuar çlirimin e Kosovës”, tha ai.
Krasniqi është shprehur i bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, e domosdoshme dhe për lirinë e popullit. Dëshmitë e fundit nga gjeneralë të NATO-s dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, ai i sheh si vërtetim i këtij fakti.
Akuza për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Krasniqi i ka kundërshtuar duke argumentuar se dëshmitë e fundit kanë treguar se veprimet e tyre ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët çlirimtare”, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë.
Përballë çdo rezultati të mundshëm nga Haga, qëndrimi mbetet optimist për një verdikt pozitiv, por gjithashtu i përgatitur për të shfrytëzuar të gjitha hapësirat ligjore nëse epilogu do të jetë negativ.
“Besoj që epilogu përfundimtar do të jetë në pafajësinë e tyre. Ata janë të akuzuar për ndërmarrje të përbashkët kriminale, por gjatë këtyre seancave të fundit nga gjeneralë të NATO-s dhe persona, personalitete të departamentit të shtetit amerikan edhe më gjerë, kanë treguar që ata kanë bërë veç qëllimi i tyre dhe veprat e tyre ka qenë vetëm ndërmarrje e përbashkët çlirimtare… Ne presim që të jetë epilogu pozitiv dhe normal që epilogun pozitiv e presim me pozitivitet, por në momentin që mund të jetë negativ ka dhe hapësira të tjera ligjore që mund t’i ndjekin më tutje”, tha ai. /KosovaPress


