Gjoba, bllokim mishi e asgjësim, AKU zbardh masat ndaj “EHW” në katër vjet
Në dy artikuj të mëparshëm ju jemi informuar për faktin se kompania EHW, refuzoi kërkesën tonë për të dhënë informacion në lidhje me burimin e lëndës së parë që merr për prodhimin e produtkeve që hedh në treg. Kërkesa për informacion e përsëritur tri herë në periudhën shtator-tetor 2025, nuk mori përgjigje, pasi në cdo rast kompania refuzoi të jepte informacionin e kërkuar.
Redaksia iu drejtua Autoritetit Kombëtar të Ushqimit prej nga morëm të dhëna zyrtare në lidhje me vendet e origjinës ku merret lënda e parë për produktet që EHW hedh në treg. Një tjetër kërkesë për informacion që I drejtuam AKU-së në kushtet e mungesës së informacionit nga kompania, ishte në lidhje me kontrollet që janë ndërmarrë ndaj këtij subjekti në kuadër të kujdesit për sigurinë e produkteve dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas tabelës zyrtare që AKU na ka përcjellë, në periudhën 2022 deri në 2025, AKU ka kryer vit pas viti:
29 inspektime për vitin 2022, ku janë vendosur dy paralajmërime ndaj kompanisë EHW, një gjobë, një bllokim malli dhe një asgjësim.
32 inspektime për vitin 2023, me 2 paralajmërime, 1 gjobë, një bllokim dhe një asgjësim malli.
Në vitin 2024, AKU ka ndërmarrë ndaj kompanisë EHW, 21 kontrolle, shumë më pak se vitet e tjera me 1 bllokim malli.
Ndërkaq, në vitin 2025, që është ende në vazhdim, janë kryer 13 kontrolle, shumë pak në krahasim me vitet e tjera. Megjithë këtë numër të kufizuar kontrollesh ndaj EHW ne këtë vit është ndërmarrë një procedurë asgjësimi për produktet e saj.
Në informacionin e përcjellë nga AKU, theksohet se gjatë vitit 2023 në njësi tregtimi është konstatuar dhe bllokuar sasia prej 0.089 ton mish për mungesë të vulës nga veterineri zyrtar.