Dyshohen për spiunazh, arrestohet piloti i KFOR-it dhe partnerja e tij serbe

Kosovë&Rajon
Dyshohen për spiunazh, arrestohet piloti i KFOR-it dhe partnerja e tij

Një shtetase serbe nga Mitrovica dhe partneri i saj, një pilot i Forcave Ajrore të Kroacisë, janë arrestuar në ishullin Vis nën dyshimin se kanë spiunuar për Serbinë. Hetimi është zhvilluar nga policia kroate në bashkëpunim me Europolin.

Sipas mediave kroate, dyshimet janë se piloti kroat i ka siguruar partneres së tij informacione konfidenciale, të cilat ajo më pas i ka përcjellë te Lista Serbe. Ai kishte qenë i angazhuar edhe në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe dyshohet se i ka zbuluar partneres detaje mbi lëvizjet e trupave ndërkombëtare dhe situatën në veri të Kosovës që nga fundi i vitit 2022.

Hetuesit po ashtu dyshojnë se informacionet përfshinin të dhëna sensitive lidhur me komunën e Zubin-Potokut, zonë e tensionuar për shkak të përplasjeve mes serbëve lokalë dhe autoriteteve të Kosovës, si dhe për transferimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar në dhjetor 2022. Arrestimi i tij kishte shkaktuar protesta dhe ngritje barrikadash për gati tri javë në Jarinjë dhe Bërnjak.

E dyshuara serbe, e cila më parë kishte punuar si reportere dhe në kompani të huaja, dyshohet të ketë qenë ndërmjetëse në përcjelljen e informacionit te Lista Serbe. Hetuesit kanë gjetur komunikime të shumta në telefonat e tyre që lidhen me aktivitetet e dyshuara për spiunazh.

ME TE LEXUARAT