Miratimi i buxhetit 2026 nga Qeveria e Kosovës, Oda Amerikane: Vendimet duhet të merren nga një qeveri me mandat të plotë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka thënë se ndien “shqetësim të thellë” për vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe çuar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vendit për vitin 2026, duke thënë se vendi ende nuk ka qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Qeveria në detyrë e miratoi buxhetin për vitin 2026 të premten, i cili kap një shifër rekorde prej rreth 4 miliardë euro, me gjithë pasigurinë se Kuvendi mund ta shqyrtojë miratimin e tij pas kundërshtimeve të shumta.
Të shtunën, Oda Amerikane theksoi në një komunikatë se vendimet me ndikim të drejtpërdrejtë në politikat fiskale dhe ekonomike të vendit duhet të merren nga “një qeveri me mandat të plotë dhe legjitimitet demokratik”.
“Legjislacioni aktual qartazi kufizon fushëveprimin e një qeverie në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin ose inicimin e masave të reja fiskale që krijojnë detyrime të reja afatgjata për financat publike”, tha ajo.
Partitë tjera shqiptare dhe shoqëria civile e kanë vënë menjëherë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit, duke thënë se Qeveria në detyrë nuk mund dhe nuk ka kompetenca për të propozuar buxhet për miratim në Kuvendin e ri.
Por, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nguli këmbë gjatë miratimit të tij se Qeveria e tij në detyrë “mund të propozojë buxhetin vjetor para Kuvendit sikurse është e përcaktuar me ligj”, si dhe i bëri thirrje Kuvendit ta votojë.


