Qeveria e Kosovës dërgon në Kuvend buxhetin për vitin 2026

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë procedoi në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026. Kryeministri Albin Kurti tha se vlera e buxhetit është katër miliardë euro.
Ky buxhet parasheh 867 milionë euro për komunat dhe pagën e 13-të.
Kryeministri Albin Kurti tha se paga e 13-të për punëtorët e sektorit publik do të paguhet sapo të hyjë në fuqi ligji i buxhetit.
“Është buxhet me vlerë prej 4 miliardë euro. Për komunat parashihen 867 milionë euro. Ky buxhet përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik, që do të paguhet sapo të hyjë në fuqi ligji i buxhetit”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky buxhet prej 4 miliardë eurosh financohet nga të hyrat buxhetore prej 3.64 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër është financim, qoftë i huamarrjes apo metodave të tjera përmes deficitit.
“Është një projektligj i cili ishte proceduar sipas afateve ligjore dhe si pamundësi për të miratuar në kuvend, po e ri procedojmë edhe njëherë. Projektligji i buxhetit për 2026 përmban shifrën 4 miliardë euro, kjo financohet nga të hyra buxhetor prej 3.64 miliardë euro, ndërkaq pjesa tjetër është financim qoftë huamarrje apo metoda të tjera përmes deficitit”, tha Murati.
Në këtë mbledhje u miratua edhe zgjatja e buxhetit për muajin mars, siç parashihet me ligj, për shkak të disa pagesave që nuk mund të presin miratimin në dy lexime. /Kosovapress


