Rutte në Maqedoninë e Veriut: Ballkani prioritet për NATO-n

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ai u takua me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi.
Sekretari i Përgjithshëm falënderoi Maqedoninë e Veriut për kontributet e saj në sigurinë euro-atlantike.
“Trupat tuaja shërbejnë krah për krah me ato të shumë aleatëve të tjerë si pjesë e Forcave tona Tokësore të Përparuara në Bullgari dhe Letoni, duke mbajtur të sigurt krahun tonë lindor me parandalim dhe mbrojtje të besueshme,” tha ai.
Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e palëkundur të vendit për Ukrainën, përfshirë përmes iniciativës PURL të NATO-s.
Rutte mirëpriti faktin që Maqedonia e Veriut i kushtoi më shumë se 2% të PBB-së mbrojtjes në vitin 2025.
“Kjo është përparim jetik, ndërsa aleatët përgatisin rrugën e tyre të besueshme për të arritur 5% të shpenzimeve për mbrojtje deri në vitin 2035,” theksoi ai.
Ai theksoi rolin kyç të Maqedonisë së Veriut në ruajtjen e stabilitetit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributet në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Sekretari i Përgjithshëm tha se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për NATO-n.
“Ne duhet t’i lëmë problemet në të kaluarën. Retorika ndarëse është e pamatur dhe e rrezikshme, është armiku i përparimit. Ne kurrë nuk mund të lejojmë që paqja të rrezikohet”, u shpreh ai.
Vizita përfundoi në Kazermat Ilinden, ku Rutte u prit nga ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski dhe falënderoi personelin ushtarak për shërbimin e tyre./RTK


