Supremja “shkarkon” Kurtin/ Reagon LDK: Të veprojë Prokuroria

Kosovë&Rajon

Supremja “shkarkon” Kurtin/ Reagon LDK: Të veprojë

Gjykata Supreme në Kosovë ka konstatuar se deputetët nuk mund të ushtrojnë edhe funksione në Qeveri. Nga momenti i certifikimit të rezultatit zgjedhor, ministrat që kanë marrë post deputeti nuk mund të marrin vendime, ka konstatuar kjo Gjykatë.

Mbi bazën e këtij interpretimi, ajo ka shfuqizuar udhëzimin administrativ për arkat fiskale të nënshkruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, raporton mediumi “Koha” në Kosovë.

“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.3.2025, ministri i MFPT-së, Hekuran Murati, figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Pra, nxjerrja e udhëzimit administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Rrjedhimisht ky vendim prek edhe ministrat e tjerë që kanë fituar mandat deputeti, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti. Vendimin e Supremes e ka quajtur absurd Murati, dhe ka publikuar edhe emrat e gjyqtarëve që kanë marrë vendimin. Ai ka theksuar se me këtë vendimmarrje ndërpritet procesi i digjitalizimit.

LDK-ja, e cila ka deponuar në prokurori 17 kallëzime penale ndaj deputetëve që kanë marrë vendime në cilësi të ministrave, ka kërkuar që organi i akuzës të veprojë shpejt.

“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë.

Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime anti-kushtetuese dhe të kundërligjshme”, thuhet në reagimin e LDK-së. Udhëzimi administrativ, që është shfuqizuar nga Supremja, parashihte që bizneset e vjetra dhe të reja që nuk ishin pajisur me arka fiskale nuk obligoheshin që ta bënin këtë.

 

 

 

 

ME TE LEXUARAT