Urat mbi lumin Ibër, reagon BE: Çdo projekt kërkon koordinim me komunitetet
“Ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë është një zhvillim me rëndësi, politike dhe praktike dhe çdo projekt infrastrukturor mes Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog në mes të të gjitha komuniteteve”.
Kështu u shpreh një zëdhënës i BE për Radion Evropa e lirë. Sipas Brukselit,, është thelbësore që projekte të tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojën e komuniteteve lokale.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik - dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi” mes banorëve në të dyja Mitrovicat, por komuniteti serb ka nënshkruar një peticion kundër iniciativës. BE shton më tej se është duke kryer vlerësimin e strukturës së urës në Mitrovicë dhe është duke analizuar planin urbanistik të zonës përreth.
“BE-ja është duke u koordinuar nga afër me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë sa i përket të ardhmes së urës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.