Berisha: 490 mijë pensionistë marrin pension të pjesshëm, jetojnë më vështirë se në socializëm

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se rreth 490 mijë pensionistë në Shqipëri që marrin pensione të pjesshme po përballen me varfëri të thellë dhe, sipas tij, në disa aspekte jetojnë më vështirë se gjatë periudhës së socializmit.
Gjatë një tryeze të organizuar nga Departamenti i Ekonomisë në PD, Berisha tha se këta pensionistë nuk përfitojnë as pensionin minimal të plotë, por vetëm shuma të pjesshme që i cilësoi si “thërrime”, ndërsa theksoi se rritja e pensioneve dhe pagave nuk ka ndjekur ritmin e rritjes së çmimeve në treg.
Sipas tij, inflacioni real për produktet bazë që konsumojnë pensionistët është shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare dhe kjo rëndon edhe më shumë jetesën e tyre.
Berisha premtoi se nëse PD vjen në pushtet do të ndërmarrë rritje të pensioneve, pagave të ulëta dhe atyre mesatare, si dhe do të vendosë minimumin jetik për të luftuar varfërinë ekstreme në vend.


