Braçe përplaset me ministrin Salla: Nuk kemi tokë pa fund, duhet për bujqësi, jo për industri

Deputeti socialist Erion Braçe përplaset me ministrin e Bujsësisë, Andis Salla, lidhur me përdorimin e tokave bujqësore për parqe fotovoltaike dhe eolike.
Braçe kërkoi që kufijtë për zhvillimin e këtyre projekteve të përcaktohen qartë në ligj dhe jo të lihen në dorë të vendimeve të Këshillit të Ministrave, duke paralajmëruar se në të kundërt rrezikohen sipërfaqe të konsiderueshme të tokës bujqësore.
Nga ana tjetër, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, mbrojti projektligjin, duke argumentuar se ndryshimet synojnë modernizimin e sektorit bujqësor dhe përdorimin e teknologjive të reja, pa cenuar funksionin kryesor të tokës bujqësore, që sipas tij mbetet prodhimi.
Braçe: Mbase nuk është ministri i Bujqësisë personi i duhur për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje; ndoshta duhet të ishte ministri i Energjisë. Por pyetja është: sa licenca janë dhënë deri më tani për parqe eolike në toka bujqësore? Së dyti, sa licenca janë dhënë për parqe agro-fotovoltaike në toka bujqësore? Sa leje janë dhënë për parqe të tilla në toka me bonitet 9 dhe 10 deri më tani?
Salla: Projektligji është një ndërhyrje e kufizuar në ligjin për mbrojtjen e tokës bujqësore, por e nevojshme për ta përshtatur atë me zhvillimin e bujqësisë moderne. Toka nuk është thjesht një sipërfaqe për prodhim bujqësor, por një pasuri kombëtare, e lidhur me zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen e brezave. Ky parim nuk ndryshon dhe nuk cënon mbrojtjen e tokës bujqësore. Projektligji plotëson kuadrin ligjor për të vënë në përdorim disa teknologji që ndihmojnë në përdorimin më efikas të ujit, të lëndëve ushqyese dhe të burimeve natyrore, duke rritur produktivitetin. Realiteti ka ndryshuar sa i përket tokës bujqësore. Nuk mjafton vetëm kultivimi i sa më shumë sipërfaqeve, por duhet të kemi sa më shumë produktivitet. Në asnjë moment nuk cenohet funksioni i tokës bujqësore, që mbetet prodhimi. Filozofia e këtij ligji është që teknologjia të vihet në funksion të tokës, fermerit dhe prodhimit. Ndaj edhe përcaktohet që disa kritere të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, duke zbatuar rregulla strikte.
Braçe: Ky projektligj është i rëndësishëm. Mua më shqetëson formulimi i ri që kemi përpara. Ai nuk i sanksionon qartësisht kufijtë e vendosur në ligjin ekzistues, por lë të hapur mundësinë që Këshilli i Ministrave të përcaktojë kufijtë e përdorimit të tokës bujqësore për aktivitetet fotovoltaike dhe eolike. Kërkoj që në nenin 2, pika 6, të përcaktohen qartë kufijtë që vetë ligji ka vendosur për secilin park. Duhet një përkufizim më i qartë në ligj për këta kufij. Përndryshe, këto parqe fotovoltaike do të shtrihen më pas në të gjitha tokat bujqësore të vendit, dhe kjo nuk është një gjë e mirë. Përkufizimet e vendosura në ligj nuk e mbrojnë mjaftueshëm tokën bujqësore. Koncepti mbi tokën bujqësore ka ndryshuar tërësisht. Toka duhet të shërbejë për bujqësi, jo për industri. Ne nuk kemi pafund tokë bujqësore.”


