U përndoq nga protestuesit, Luarasi në Kuvend: Video mori miliona shikime në rrjetet sociale! Në 730 komente kërkohej pushkatimi im

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka rikujtuar edhe njëherë përndjekjen që protestuesit i bënë disa ditë më parë, teksa ajo po shkonte në Kuvend.
Duke e vënë theksin te algoritmi në rrjetet sociale, Luarasi tha se video e përndjekjes së saj nga protestuesit mori miliona shikime, teksa shtoi se kishte rreth 730 komente potencialisht të dhunshme.
Luarasi tha se mes komenteve të dhunshme kishte nga ato që kërkonin dënimin e saj me burg, zhdukje, varjen e saj në litar, djegie apo pushkatim.
“Të gjithë ju e keni parë se një javë më parë teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoqa nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz.
Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos. Sepse aty qëndron çështja që kjo konventë synon të rregulloj. Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi, në 5 ditë emri u përmend në 708 artikuj, në 64 media online, në 134 llogari të emërtuara.
Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë. Shikimet 4.8 milionë. 80 % e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve. Nga këto 730 komente ndëshkuese, ose potencialisht të dhunshme, burg, zhdukje, varje, djegie, pushkatim”, tha mes të tjerash Luarasi.


