Parlamenti, debat për “territorialen”, Berisha: Projekt shpopullimi! Balla: E keni Kuvendin si shkollë nate

Politikë

Parlamenti, debat për “territorialen”, Berisha: Projekt

Pas më shumë se dy javësh, Partia Demokratike i dha fund bojkotit duke u rikthyer në Parlament.

Por seanca nuk nisi e qetë. Shkak u bë reforma territoriale, me Partinë Socialiste që kërkon të kapë afatet e korrikut, ndërsa nga ana tjetër Partia Demokratike e cilëson si një projekt shpopullimi.

“BE përcaktoi reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe territoriale. Të bindur se me Ramën ka vetëm antireformë, por në mbështetje të kërkesave të qytetarëve të shumtë nga mbarë territori i vendit, në mbështetje të përpjekjeve tona për një proces zgjedhor të lirshëm, ne morëm pjesë në dy grupet e ngritura për këto reforma themelore. Përfaqësuesit e opozitës në këto komisione kanë dhënë kontribut të çmuar. Rama tërhiqet nga reforma territoriale, duke vijuar me projektin për shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë”, tha Berisha.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se ikjet dhe ardhjet e opozitës po sjellin vetëm vonesa. Megjithatë, ai sqaroi se në seancën e radhës do të prezantohet raporti dhe jo ligji i ndryshuar.

“Komisioni i Territoriales ka bërë punë të lavdërueshme, është punuar për muaj dhe jemi në momentin që në Konferencën e Kryetarëve… se ju e keni Parlamentin si shkollë nate, ikni e vini kur të doni. Komisioni nuk solli kërkesë, e ka mbaruar afatin. Sillni ju raportin tuaj, Mazniku dhe deputetët e PS-së të sjellin raportin e tyre. Më datë 23 nuk do të ketë votim, por raportim, që mbi bazën e tij ka një proces që i përfshin komunitetet”, Taulant Balla, Kreu i grupit të PS.

Edhe ndryshimi i rendit të ditës solli debate mes palëve, me opozitën që akuzoi kryeparlamentarin Peleshi për sjellje me dy standarde.

“Do të mbetesh në historinë e këtij vendi si vasali më i shpifur i Edi Ramës, si armik i egër i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të deputetëve. Si armik i egër i procesit të integrimit të Shqipërisë. Ka një muaj që janë dorëzuar amendamentet për amendimin e ligjeve që KE kërkon të anulohen dhe amendohen, të cilat protesta më e fuqishme pas viteve ’90 kërkon të anulohen, dhe dil përpara”, tha Berisha.

“Nuk ju drejtohem me ‘ti’. Mos e tejkaloni etikën parlamentare! Mos përdorni epitete! Do t’ju ndërpres sa herë të shkelni rregulloren! Do të marr masa sipas rregullores për të gjithë deputetët që na sjellin këtu një lumë fjalësh që nuk na takon ne!”, Kryetar i Parlamentit, Niko Peleshi.

Më herët gjatë ditës, përpara nisjes së seancës, deputetët u pritën me protesta nga një grup qytetarësh.

ME TE LEXUARAT