PD nuk lejon Endri Shabanin të raportojë në Kuvend, ndërpritet sërish seanca plenare

Seanca plenare në Kuvend vijon të jetë e tensionuar, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike kanë mbajtur të bllokuar foltoren edhe pas rikthimit të punimeve pas pushimit 5-minutësh.
Deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar të mbajnë të bllokuar foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar zhvillimin e raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani, për veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2025.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi më herët futjen e kësaj pike në rendin e ditës, duke e cilësuar si një provokim ndaj opozitës. Sipas tij, zgjedhja e Shabanit si Avokat i Popullit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe çështja ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
“Për sa kohë kjo çështje është në shqyrtim në GJK, të respektohet ky sensibilitet i opozitës”, deklaroi Bardhi në sallën e Kuvendit, duke kërkuar që raportimi të mos zhvillohej.
Pas njoftimit se do të merrte fjalën Avokati i Popullit, deputetët demokratë u pozicionuan pranë foltores duke penguar zhvillimin normal të seancës. Për shkak të situatës së krijuar, kryeparlamentari Peleshi ndërpreu sërish seancën.


