Berisha: Data e protestës tjetër do caktohet shumë shpejt, nuk tërhiqemi, do përdoren të gjitha format!

Sali Berisha thotë se protestat kundër qeverisë nuk po përdoren nga ai për t’i lehtësuar rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike.
I pyetur nga gazetarët nëse protesta e radhës e demokratëve do të jetë para 23 majit, datë kur do të zhvillohen votimet brenda PD-së për postin e kryetarit, Berisha nuk dha një përgjigje.
Kryedemokrati tha se protestat nuk kanë lidhje me proceset e brendshme të partisë.
“Kryengritja paqësore nuk njeh të zmbrapsur. Të gjitha format e protestave do përdoren, këto janë protesta, kjo është kryengritje paqësore që ka si mision përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës, ky mision është misioni i Partisë Demokratike, por edhe i forcave të tjera politike opozitare, i shoqërisë civile, i grupeve të tjera të interesit, për të cilat do të bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët. Kjo kryengritje nuk ka të ndalur”,- tha Berisha. ''Nuk kanë lidhje këto, ka lidhje me regjimin, nuk ka asnjë lidhje me proceset e brendshme të partisë”,- tha Berisha.


