Shkarkimet në qeveri, Rama: Ishin të parapara! Largimi i Ballukut, nëse rrethanat do të ishin ndryshe…

Kryeministri Edi Rama ka komentuar valën e fundit të shkarkimeve në qeveri gjatë podcastit të tij “Flasim”, duke u ndalur veçanërisht te largimi i ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila po hetohet nga SPAK dhe për të cilën prokuroria ka kërkuar arrestimin.
Rama tha se në mbledhjen e zgjeruar mujore të grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka folur për raportin mes politikës dhe drejtësisë, në një fazë që sipas tij ka sjellë arritje pozitive, por që ende kërkon adresim të mëtejshëm.
“Po aty ndava me deputetët edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat janë pjesë e një qasjeje të re për të cilën kam folur që në fjalën drejtuar Asamblesë Kombëtare në nisje të këtij mandati”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë krahasoi ndryshimet në kabinet me lëvizjet në një skuadër sportive, duke theksuar diferencën mes një ekipi futbolli dhe një skuadre basketbolli, për të ilustruar nevojën për riformatim dhe përshtatje të vazhdueshme.
Sipas tij, ndryshimet ishin të parapara, por theksoi se në rrethana të tjera, Belinda Balluku nuk do të ishte larguar nga detyra, duke cilësuar rezultatet e saj në punë si “të jashtëzakonshme”.
“Natyrisht që nëse rrethanat do të ishin ndryshe, nuk do të kishte ndryshuar për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme në punë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se për çështjen në fjalë ka folur shkurtimisht në mbledhjen e grupit, ndërsa paralajmëroi se do të japë një qëndrim më të detajuar pasi të lexojë raportin e Këshillit të Mandateve.


