Zgjedhje të parakohshme dhe lokale njëkohësisht? Si përgjigjet Jorida Tabaku

Politikë

Zgjedhje të parakohshme dhe lokale njëkohësisht? Si

“Nuk i parashikoj dot”. Kështu u përgjigj deputetja demokrate, Jorida Tabaku u pyet se çfarë pret në 4 vitet e ardhshme të qeverisë së Partisë Socialiste të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.

Në një intervistë me gazetarin Drini Zeqo, ajo theksoi se Partia Demokratike do ta bëjë betejën e saj për zgjedhje të lira. Paralelisht sipas saj duhen përdorur denoncimet, por njëkohësisht duhet të vijohet me kërkesën e vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike.

Por a mund të ishte një propozim mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme dhe zgjedhjeve lokale në të njëjtën kohë? Për Tabakun për momentin është e parakohshme të flitet diçka e tillë.

“Pa u zgjidhur situata dhe problematika e zgjedhjeve unë besoj që është e parakohshme që të flasim. Por nëse kemi një situatë të ndërmjetme me qeveri teknike dhe me shumë çështje të tjera të zgjidhura dhe ezauruara, pastaj është diskutim tjetër”, tha ajo.

E pyetur edhe për analizën që duhet të bëjë vetë Partia Demokratike pas zgjedhjeve, Tabaku tha se debati nuk duhet kaluar përtej partisë, një gabim që sipas saj është bërë në të shkuarën.

"Debatin e brendshëm nuk duhet ta bëjmë as debat televizionesh, as debat të përcaktuar nga jashtë. Nuk duhet të përsërisim gabimet që kemi bërë në të shkuarën. Për mua fakti që debati i Partisë Demokratike ka shkuar qoftë në studio televizive, qoftë në sallën e parlamentit nuk ka qenë faktor i mirë.

Mund ta ketë dëmtuar publikisht. Le t’i lemë strukturat që pasi të përfundojë ky proces t’i marrin vendimet, të reflektojnë, të shohin hapat që duhen ndërmarrë”, tha Tabaku.

ME TE LEXUARAT