‘Zvërneci’, Berisha: E mbështesim plotësisht investimin e huaj! Edhe ne do të kishim vepruar njësoj

Mbështetje e plotë për investimin e huaj në Zvërnec. Ky është qëndrimi i Sali Berishës lidhur me temën më të nxehtë të këtyre ditëve.
“Investimi është interes i mbarë Shqipërisë”, tha Berisha.
Gjatë mbledhjes së grupit, kryedemokrati tha se edhe PD do të kishte pasur qëndrimin për ta zhvilluar zonën, duke ‘u pajtuar’ në njëfarë mënyre me atë që kryeministri Rama ka shprehur përgjatë këtyre ditëve.
“Në përputhje me peizazhin”, tha Berisha, duke shtuar se zona ka potencial të vërtetë për ta vendosur Shqipërinë në hartën e destinacioneve turistike elitare të botës.
“Kjo zonë e bën Shqipërinë të famshme në botë. Absolutisht e bën. Jua them unë se është një zonë fantazi natyrore. Është një mrekulli, mrekulli. Po e bën të famshme me kusht që mos ta shëmtosh, mos ta shkatërrosh, me kusht që ta zhvillosh në përputhje me të gjitha kushtet”, tha Berisha.
Më tej, u shpreh se investimet edhe në zonat e mbrojtura janë të realizueshme, gjithnjë në përshtatje me peizazhin.
“Edhe në parqet më të mbrojtura ka ndërtime në përshtatje me peizazhin”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se investimi dhe mbrojtja e mjedisit duhet të shkojnë përkrah me dëmshpërblimin e banorëve.
“Ne qëndrojmë, jemi për investime, jemi për mbrojtjen e mjedisit, jemi për mbrojtjen dhe njohjen e të drejtës së pronës në çdo metër katror, të dëmshpërblimit”, tha Berisha.
Kritika pati për akuzat e Ramës se protesta në Zvërnec është përpjekje e Greqisë për të provokuar reagim. Protestat, të cilat ditët e fundit janë zhvilluar në mënyrë periodike, tha se “i mbështet”, por dënon dhunën.
“Të dënueshme përpjekjet për ta paraqitur këtë si një përpjekje të Greqisë. Së pari njëherë, banorët e Zvërnecit, ai që ndihet shqiptar, ndihet shqiptar, ai që ndihet grek, ndihet grek. Jeton në një vend që ka të drejtë të plotë të mbrojë identitetin dhe origjinën e tij. E thoshte njëri shumë bukur aty: unë jam shqiptar dhe jam grek. Pikë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, ka përpjekje të organizuar për të larguar investitorin nga Shqipëria.


