Gjesti që preku rrjetin/ Georgina Rodríguez dhe Ivana dhurojnë mbi 280 mijë dollarë për një sëmundje të rrallë

Modelja dhe influencerja e njohur, Georgina Rodríguez, ka treguar edhe një herë anën e saj humanitare duke kontribuar në një kauzë të ndjeshme për një fëmijë që vuan nga një sëmundje e rrallë.
Së bashku me motrën e saj, Ivana Rodríguez, ajo mbështeti projektin bamirës “Javi’s Angel”, i cili synon të sigurojë trajtim të specializuar për një djalë të vogël nga Spanja që vuan nga NEDAMSS, një çrregullim neurozhvillues që shkakton regres në zhvillim, humbje të të folurit dhe epilepsi.
Fillimisht, Ivana dhuroi çmimin e fituar nga spektakli Top Chef, rreth 100,000 euro, por shuma nuk ishte e mjaftueshme për të përballuar trajtimin e kushtueshëm që kërkohej. Në këtë moment ndërhyri Georgina, e cila pasi u njoh me rastin, vendosi të kontribuojë menjëherë me pjesën e mbetur të shumës.
Sipas Ivanës, gjesti i motrës së saj ishte shumë emocional, pasi ajo u prek thellë nga historia e vogëlushit. Donacioni i saj bëri të mundur që të plotësohej shuma e nevojshme për të sjellë trajtimin nga Shtetet e Bashkuara në Spanjë.
Në total, dy motrat dhuruan mbi 281,000 dollarë për këtë kauzë, duke i dhënë shpresë familjes së Javit dhe shumë fëmijëve të tjerë që përballen me të njëjtën sëmundje.


