Dashuria përballë parasë! Nga marrëveshjet te llogaritë e fshehta, sfidat e romancave moderne

Kur dashuria përballet me paratë, romantika shpesh i lë vend realitetit financiar.
Një sondazh i fundit i WalletHub tregon se çiftet moderne po përballen gjithnjë e më shpesh me marrëveshje paramartesore, financa të ndara dhe llogari të fshehta.
Tre në katër amerikanë mendojnë se një marrëveshje paramartesore mund t’i bëjë mirë një lidhjeje. Ekspertët e lidhin këtë edhe me faktin se njerëzit martohen më vonë dhe hyjnë në një marrëdhënie me kursime, pasuri apo detyrime të krijuara më herët.
Për këtë arsye, bisedat për të ardhurat, borxhet dhe planet financiare po bëhen gjithnjë e më të zakonshme që në fillim të një lidhjeje.
Por transparenca nuk është gjithmonë e plotë. Më shumë se një në katër amerikanë pranojnë se kanë një llogari financiare për të cilën partneri nuk di.
Ekspertët bëjnë dallimin mes privatësisë financiare dhe asaj që quhet “tradhti financiare”, kur njëri partner fsheh shpenzime të mëdha ose para nga tjetri.
Sondazhi tregon gjithashtu se pothuajse një në tre persona mendojnë se llogaritë e përbashkëta krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhin.
Për këtë arsye, modeli hibrid shihet si më funksionali: një llogari e përbashkët për shpenzimet e familjes dhe llogari personale për secilin partner.
Por përplasjet më të forta mbeten ato për paratë. 72 për qind e amerikanëve thonë se mosmarrëveshjet financiare dëmtojnë më shumë një marrëdhënie sesa debatet politike.
Ekspertët sugjerojnë buxhet të përbashkët, transparencë dhe biseda të rregullta për të ardhurat dhe shpenzimet.
Në marrëdhëniet moderne, përputhshmëria financiare po kthehet kështu në një nga kushtet kryesore për stabilitetin e çiftit.


