Fëmijët që rriten me kafshë shtëpiake mund të jenë më pak të prirur ndaj alergjive ushqimore

Prindërit shpesh lëkunden mes dyshimeve nëse është e sigurt që i porsalinduri i tyre të qëndrojë pranë kafshëve shtëpiake, por sipas studimeve rezulton se prania e tyre gjatë fazave të hershme të jetës së një fëmije, mund të ulë gjasat për zhvillimin e alergjive ushqimore.
Një studim i publikuar në revistën shkencore ”PLOS Ones” zbuloi se ekspozimi ndaj maceve dhe qenve ndërkohë që fëmija është ende në barkun e nënës ose vetëm disa muajsh, lidhej me rreth 14% rrezik më të ulët për të pasur alergji ushqimore, më vonë në jetë.
Përfitimi më i madh u vu re te fëmijët që jetonin me qen të mbajtur brenda shtëpisë, si dhe në familjet që zotëronin kafshë shtëpiake gjatë zhvillimit fetal dhe foshnjërisë së hershme.
“Ekziston një hipotezë se ekspozimi i hershëm ndaj kafshëve me qime e orienton përgjigjen imunitare larg alergjisë dhe më shumë drejt tolerancës”, tha Dr. Carolyn Kwiat, alergologe dhe imunologe në Spitalin “Mount Sinai” në Nju Jork.
Sipas studimit të ri, mbajtja e qenve gjatë zhvillimit të hershëm të fëmijës lidhej me një rrezik më të ulët për alergji ndaj qumështit, vezës dhe arrave.

Ndërsa posedimi i një maceje dukej se reduktonte alergjitë ndaj grurit, vezës dhe sojës.
Nuk u gjet një lidhje e fortë mes alergjive ushqimore dhe mbajtjes së zogjve, breshkave apo brejtësve.
“Deri më tani, kërkimet kanë qenë kontradiktore përsa i përket faktit nëse mbajtja e kafshëve shtëpiake kur fëmija është i vogël ndihmon realisht në parandalimin e zhvillimit të alergjive ushqimore”, tha Kwiat.
“Disa studime tregojnë se ekspozimi i hershëm ndaj kafshëve me qime mbron nga alergjitë ushqimore. Disa të tjera tregojnë se jo. Megjithatë, studimi i fundit, i kryer në Japoni, jep shenja premtuese pasi është më i madhi i këtij lloji”, shtoi ajo.
“Ajo që ishte vërtet mbresëlënëse ishte fakti se përfshinte 66 000 fëmijë, që është një numër i madh. Madhësia më e madhe e kampionit rrit fuqinë e studimit”, tha Dr. Kwiat.
Diagnostikimi i alergjive ushqimore u bazua tërësisht në një pyetësor të plotësuar nga prindërit dhe jo në rezultate testesh mjekësore.
Ajo shtoi se nuk ka ende rekomandime të mjaftueshme për të adoptuar një kafshë shtëpiake gjatë shtatzënisë – me qëllim specifik parandalimin e alergjive ushqimore – pasi të dhënat kanë qenë kontradiktore në të kaluarën.
Ndërkohë që studimi përbën “një hap në drejtimin e duhur”, Kwiat theksoi se prezantimi i hershëm i ushqimeve me potencial të lartë alergjik te fëmijët ka më shumë gjasa të ulë rrezikun e zhvillimit të alergjive, më vonë në jetë.
“Prezantimi i hershëm me kafshët shtepiake, ndihmon në promovimin e tolerancës dhe parandalimin e alergjive. Për këtë mund të flas me më shumë siguri”, theksoi ajo. /ORA


