Janë parë vetëm një herë, eshtrat e Shën Françeskut të Assisit ekspozohen në 800-vjetorin e vdekjes së tij

Eshtrat e shenjtorit Shën Françesku i Assisit, janë ekspozuar për publikun për të shënuar 800-vjetorin e vdekjes së tij.
Zyrtarët italianë thonë se rreth 400 mijë persona nga e gjithë bota kanë rezervuar vend për të parë eshtrat e tij në qytetin e Asissit, në Italinë qendrore. Skeleti i shekullit XIII po ekspozohet që nga e diela në kishën e poshtme të Bazilikës së famshme të Shën Françeskut të Assisi.
Mbetjet e tij janë parë publikisht vetëm një herë më parë, për një ditë të vetme në vitin 1978 dhe nga një grup shumë i kufizuar personash.
Shën Françesku është një nga figurat më të nderuara të krishterimit dhe lindi në qytetin italian të Asissit në vitin 1181 ose 1182. Ai hoqi dorë nga pasuria e tij dhe ia kushtoi jetën të varfërve, duke themeluar urdhrin françeskan. Ai është gjithashtu shenjtori mbrojtës i kafshëve dhe i mjedisit.
Festa e Shën Françeskut kremtohet çdo vit më 4 tetor, për të përkujtuar ditën e vdekjes së tij në vitin 1226.
Papa i ndjerë Françesku, i cili ndërroi jetë vitin e kaluar pasi udhëhoqi Kishën Katolike Romake për më shumë se një dekadë, zgjodhi emrin e tij dhe modeloi papatin e tij sipas përulësisë radikale të Shën Françeskut.
Eshtrat e Shën Françeskut të Asissit do të jenë të ekspozuara deri më 22 mars./Shqiptarja


