Një foto e re e Rrugës së Qumështit zbulon se si formohen yjet

Observatori Europian Jugor (ESO) publikoi një imazh të jashtëzakonshëm të zonës që quhet CMZ, një rajon qendror i Galaksisë ku gazi i ftohtë dhe pluhuri janë përqendruar në mënyrë ekstreme dhe nga i cili formohen yjet.
Ky imazh duket si “retë vjollcë dhe rozë” që përfaqësojnë gazet e ftohta kozmike, të padukshme për syrin e njeriut, por të kapura nga teleskopët specialë.
Fotoja jep detaje të paprecedenta për këto struktura gazi dhe falë saj, studiuesit mendojnë se mund të kuptojnë më mirë si formohen yjet dhe planetet, sidomos në mjedise shumë të ngjeshura.
Sipas profesor Steve Longmore nga Liverpool John Moores University, kjo foto ofron një “dritare” për të parë proceset që janë tipike për formimin e shumicës së yjeve në Univers.
Imazhi fokusohet në një rajon më shumë se 650 vjet dritë në diametër, i përbërë nga gaz i ftohtë kozmik nën kushte ekstreme, diçka që është zakonisht e padukshme pa pajisje të fuqishme astronomike.


