Viruset respiratore mund të vonojnë përhapjen e kancerit në mushkëri

Një studim i fundit shkencor sugjeron se infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, si ato që shkaktojnë ftohjen, mund të reduktojnë përkohësisht përhapjen e kancerit në mushkëri nga pjesë të tjera të trupit, sipas “The Guardian”.
Hulumtimi, i kryer nga shkencëtarë në Universitetin e Oxfordit dhe institucione të tjera kërkimore, u fokusua në efektet e virusit sincicial respirator (RSV) — një virus shumë i përhapur që shkakton simptoma të ngjashme me ftohjen dhe infekton shumicën e njerëzve që në moshë të hershme.
Në eksperimentet laboratorike me minj, studiuesit zbuluan se infektimi me RSV pengonte qelizat e kancerit të gjirit, që të vendoseshin dhe të zhvilloheshin në mushkëri.
Sipas tyre, kjo ndodh sepse infeksioni aktivizon proteina të sistemit imunitar që luftojnë infeksionet, duke krijuar një mjedis më pak të favorshëm për përhapjen e qelizave tumorale.
Ekspertët theksojnë se shumica e vdekjeve nga kanceri, ndodhin kur qelizat tumorale përhapen (metastazojnë) nga vendi fillestar në organe të tjera.
Në fazat e hershme, kanceri shpesh mund të trajtohet me kirurgji ose radioterapi, por pasi përhapet, trajtimi bëhet shumë më i vështirë dhe me më pak sukses.
Mushkëritë janë një nga organet më të zakonshme ku përhapet kanceri, ndaj roli i infeksioneve respiratore – si gripi, COVID-19 apo viruset e ftohjes – është bërë një fushë me interes të madh për kërkimin shkencor.
Studiuesit paralajmërojnë se këto rezultate janë ende në fazë eksperimentale dhe nuk do të thotë që infeksionet janë një mënyrë trajtimi.
Megjithatë, mekanizmi i zbuluar mund të shfrytëzohet në të ardhmen për prodhimin e ilaçeve të reja që imitojnë këtë efekt mbrojtës pa shkaktuar sëmundje.
Ky zbulim hap rrugë për strategji të reja në luftën kundër metastazave, një nga sfidat më të mëdha në trajtimin e kancerit.


