Kosova në prag të historisë, Gallapeni dhe Hoxha njëzëri: Ëndrra jonë është Botërori, tifozët na japin forcë

Sport

Kosova në prag të historisë, Gallapeni dhe Hoxha

PRISHTINË - Pasi mposhtën 3-4 Sllovakinë në Bratislavë dy ditë më parë, përfaqësuesja e Kosovës në futboll i është rikthyer përgatitjeve për sfidën finale të play-off-it të Kupës së Botës 2026, atë kundër Turqisë.

Të martën në orën 20:45 në 'Fadil Vokrri' të Prishtinës të gjithë sytë e shqiptarëve do jenë te djemtë e Franco Fodës, të cilët luajnë finalen kundër Turqisë për të marrë biletën për në Botërorin 2026.

Në prag të ndeshjes, për mediet folën futbollistët Dion Gallapeni dhe Veldin Hoxha.

Mbrojtësi Dion Gallapeni e ka cilësuar ndeshjen e fundit si historike, duke theksuar se skuadra tregoi karakter të fortë dhe arriti një fitore të madhe falë edhe mbështetjes së tifozëve “Dardanë”.

“Një ndeshje historike për ne, pavarësisht se e kemi ditur se do të jetë e vështirë. Por, me ndihmën e tifozëve dardanë gjithçka ishte e mundur dhe treguam një karakter shumë të fortë dhe dolëm fitimtar nga ndeshja.

Turqia? Normalisht që është një ndeshje e vështirë duke marrë parasysh kualitetin që ka Turqia mirëpo këtë e kemi vërtetuar edhe në ndeshjen e parë që pavarësisht cilësisë së skuadrës së tyre, ne jemi shumë të bashkuar si grup, luftojmë për njëri-tjetrin dhe kjo ka shumë rëndësi", tha Gallapeni.

Mesfushori Veldin Hoxha theksoi se skuadra tashmë ka lënë pas fitoren e fundit dhe është plotësisht e fokusuar te përballja ndaj Turqisë.

"Ndjenja është shumë e mirë, por kjo ndeshje tashmë ka kaluar dhe tani fokusi ynë është te ndeshja e radhës kundër Turqisë. Ekipi do të jetë i përgatitur maksimalisht dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur kualifikimin në Kupën e Botës.

Kur i ke tifozët pas vetes në stadiumin tënd kjo të jep një shtysë shumë të madhe në ndeshje të tilla. Prandaj, do të japim maksimumin për të fituar këtë ndeshje, për veten tonë, për tifozët dhe për vendon tonë, me synimin që të arrijmë në Kupën e Botës”, përfundoi mesfushori i Kosovës.

Trajneri Franco Foda e ka të gjithë grupin në dispozicion, teksa nuk raportohet për mungesa apo dëmtime./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT