EMRAT / G*ditet banda e trafikut të emigrantëve në Londër, dënohen me burg 3 shqiptarët

Aktualitet

EMRAT / G*ditet banda e trafikut të emigrantëve në Londër,

Tre shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi kriminal me bazë në Londër janë dënuar me burg nga drejtësia britanike, pasi u provua se ishin të përfshirë në trafikun e emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, kundrejt pagesave që arrinin deri në 11 mijë paund për person.

Konkretisht bëhet fjalë për shtetasit, Toni Liko, 42 vjeç, i cili u dënua me 5 vite e 8 muaj burg, po aq sa edhe Klement Gjika, 44 vjeç. Ndërsa Stelian Bodnariu, 37 vjeç, u dënua me 3 vite e 4 muaj burg.

Sipas mediave të huaja, hetimi i zhvilluar nga Metropolitan Police Service zbuloi një skemë të organizuar, ku emigrantët transportoheshin përmes rrjetit të autostradës M25 dhe më pas ndaleshin në pika të ndryshme, kryesisht në stacione karburanti. Aty bëhej transferimi i tyre nga një automjet në tjetrin, përpara se të dërgoheshin në Londër.

Sipas autoriteteve, gjatë 18 muajve aktivitet, banda dyshohet se ka futur në vend të paktën 20 shtetas shqiptarë, megjithëse numri real besohet të jetë më i lartë.

Zbardhja e skemës u bë e mundur përmes analizimit të pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, gjurmimit të automjeteve dhe përdorimit të metodave të mbikëqyrjes, çka çoi në identifikimin e drejtuesve të grupit. Gjithashtu, hetuesit siguruan komunikime mes kontrabandistëve dhe shoferëve të mjeteve të rënda, ku përcaktoheshin pikat e takimit dhe mënyra e transportit të emigrantëve.

Sipas policisë, ky aktivitet kriminal ishte i motivuar kryesisht nga përfitimi financiar, ndërsa personat e trafikuar shpesh përfundonin të shfrytëzuar më tej nga rrjetet kriminale.

Tre të pandehurit u shpallën fajtorë për akuzën e lehtësimit të hyrjes së paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Ata u arrestuan në qershor të vitit 2025 dhe pas një procesi gjyqësor që zgjati shtatë javë, u shpallën fajtorë për aktivitetin e tyre kriminal./ORA

ME TE LEXUARAT