“Nuk ka fjalë për ta përshkruar”/ Mourinho flet për tërheqjen e Messit nga Argjentina

Jose Mourinho ka komentuar vendimin e Lionel Messit për t’i dhënë fund aventurës me kombëtaren e Argjentinës, duke e vlerësuar yllin argjentinas si një prej futbollistëve më të jashtëzakonshëm të të gjitha kohërave.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri portugez u shpreh se është e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar kontributin dhe cilësinë e Messit në fushën e blertë.
"Të flasësh për Messin është e komplikuar. Nuk ka shumë më tepër për të thënë. Nuk ekzistojnë fjalë që mund të përshkruajnë cilësinë e tij si futbollist," u shpreh Mourinho.
Tekniku vlerësoi veçanërisht vazhdimësinë e Messit, duke përmendur se edhe në Kampionatin Botëror të fundit, në moshën 38 apo 39-vjeçare, ai mbeti i njëjti lojtar që ka qenë gjithmonë.
Mourinho pranoi se futbolli do ta ndiejë mungesën e një ikone të tillë në skenën ndërkombëtare, ndërsa shtoi me humor se do t’i duhet të ndjekë kampionatin amerikan MLS vetëm për të shijuar vitet e fundit të karrierës së tij:
“Është një nga ata lojtarë që do të na mungojë. Do të duhet të shohim disa ndeshje të MLS-së, gjë që nuk më entuziazmon veçanërisht, por duhet ta bëjmë për të shijuar sa më shumë këto vite dhe sezone të fundit.”


