Rasti Rrahmani “mollë sherri” mes FSHF-së dhe presidentit! Osmani letër të hapur Begajt: Pse ngecin procedurat për pasaportat...

Sport

Rasti Rrahmani “mollë sherri” mes FSHF-së dhe presidentit!

Procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare të disa futbollistëve dhe futbollisteve të rinj që synojnë të përfaqësojnë Shqipërinë në ekipet kombëtare të moshave janë bërë pjesë e një debati publik mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Presidencës. Çështja është ngritur publikisht nga Tefik Osmani, përgjegjës për skautizmin pranë FSHF-së, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale i është drejtuar presidentit Bajram Begaj duke kërkuar shpjegime për ecurinë e procedurave.

Osmani thotë se FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 të rinj me potencial për të përfaqësuar Shqipërinë, por procedurat, sipas tij, janë në pritje për shkak të ndryshimeve ligjore dhe nevojës për miratimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave. Në reagimin e tij, Osmani thekson se FSHF-ja mbështet pajisjen me pasaportë shqiptare të lojtarëve me origjinë nga Kosova dhe se federata ka ndërmarrë më herët iniciativa për lehtësimin e procedurave për futbollistët shqiptarë që luajnë jashtë vendit. Megjithatë, ai ngre pikëpyetje për mënyrën se si janë trajtuar procedurat në rastin e Albion Rrahmanit, futbollistit të Kombëtares së Kosovës, duke kërkuar që të njëjtat lehtësi dhe ritëm t’u ofrohen edhe talenteve që synojnë të luajnë për Shqipërinë.

Përgjegjësi i skautizmit në FSHF thekson se qëllimi i reagimit nuk është kundërshtimi i pajisjes me pasaportë të lojtarëve të Kosovës, por kërkesa për trajtim të njëjtë të rasteve. Sipas tij, vonesat administrative mund të ndikojnë drejtpërdrejt te lojtarët e moshave të reja, pasi përfaqësimi në ekipet kombëtare lidhet me cikle të caktuara dhe me moshën e futbollistëve.

Reagimi i plotë i Osmanit:

Zoti President i Republikës,

Po ju drejtohem publikisht, jo për një favor, por për një përgjigje që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e futbollit shqiptar. FSHF-ja ka dorëzuar dokumentacionin për rreth 10 djem dhe vajza me potencial të madh, të cilët mund të përfaqësojnë Shqipërinë në ekipet kombëtare të moshave. Përgjigjja që marrim është se ka ndryshuar ligji dhe duhet të presim VKM-në. Dua të jem shumë i qartë: ne si FSHF jemi plotësisht pro që lojtarët me origjinë nga Kosova të pajisen me pasaportë shqiptare. Madje kemi punuar dhe kemi bërë marrëveshje me Italinë pikërisht që lojtarët shqiptarë të mos konsiderohen ekstrakomunitarë. Por pikërisht për këtë arsye, lind një pyetje e fortë:

Si është e mundur që procedurat për një lojtar të Përfaqësueses së Kosovës, si Albion Rrahmani, mund të ecin dhe të përfundojnë, ndërkohë që dokumentacioni i lojtarëve dhe lojtareve që FSHF-ja po përpiqet t’i afrojë me Kombëtaret e Shqipërisë qëndron gjithmonë në pritje? Nuk kemi asgjë kundër Rrahmanit apo lojtarëve të Kosovës. Përkundrazi, kjo është një çështje që ne e mbështesim. Por kërkojmë që i njëjti seriozitet, e njëjta shpejtësi dhe e njëjta vëmendje t’u kushtohet edhe talenteve që mund të veshin fanellën kuqezi. Sepse këtu nuk po flasim për dokumente që mund të presin pafundësisht. Po flasim për fëmijë dhe të rinj që kanë një moshë, një cikël kombëtareje dhe një moment të caktuar në zhvillimin e tyre.

Nëse shteti mund të gjejë një zgjidhje kur bëhet fjalë për një lojtar që përfaqëson Kosovën, pse nuk mund të gjendet një zgjidhje me të njëjtën urgjencë për lojtarët që presin të përfaqësojnë Shqipërinë? Sepse në fund, rrezikojmë diçka shumë më të madhe se një dosje të vonuar: rrezikojmë të humbasim talente që Shqipëria i ka gjetur, i ka ndjekur dhe i dëshiron. Dhe do të ishte paradoksale që talentin ta humbnim jo në fushën e futbollit, por në pritje të një procedure administrative.

Me respekt Tefik Osmani!

 

ME TE LEXUARAT