Sinner, dashuria e italianëve/ Tenisti është sportisti më i dashur nga publiku në Apenine

Nuk luan me topin e këmbës, por kjo nuk i prish asnjë punë.
Janik Siner, tenisti më i mirë në Apenine, dhe një nga dy më të mirët në botë, është kthyer papritur në dashurinë e madhe të italianëve.
Një sondazh të cilin e bën të ditur “La Gazeta delo Sport” tregon se numrin 2 të rruzullit e pëlqejnë më shumë se gjithë sportistët e tjerë plot 54 për qind e tifozëve apo e të pyeturve në Itali.
Kjo jo vetëm që është një shifër e madhe, por pas Sinerit ekziston një boshësi e vërtetë, dhe shumë më poshtë janë të tjerët.
Sipas italianëve, në vend të dytë është piloti i ri i Formula 1, Kimi Antoneli, me vetëm 4 për qind të pëlqimeve, pra 50 për qind prapa, ndërsa në vend të tretë me 3 për qind është një grup sportistësh të tjerë, dhe i vetmi futbollist është Xhixho Donaruma.
Falë Sinerit, tenisi është sporti I dytë më i ndjekur në Apenine, me 31 për qind, pas futbollit me gati 50 për qind, ndërsa Formula 1 mbetet në vend të tretë me 29 për qind.
Dashuria e re e Italisë është ende vetëm 24 vjeç dhe besohet se popullariteti i tij do të rritet edhe më shumë.
Këtë vit ai fitoi dy Grand Sleme, Australian Open dhe Uimbëlldon, në garë të jashtëzakonshme me rivalin e tij të madh, Karlos Alkaraz, ndërsa shpreson që shpejt të kthehet numri 1 i botës.


