Situatë ekstreme, ekipi pjesëmarrës në Botëror detyrohet të nisë tre javë karantinë pas kërkesës së SHBA

Kur mbetet më pak se një muaj nga fillimi i Kupës së Botës 2026, ekipi i Republikës Demokratike të Kongos po përballet me një situatë të paprecedentë që kërcënon të ndërlikojë përgatitjet e saj për aktivitetin.
Sipas “ESPN”, autoritetet amerikane kanë vendosur një periudhë izolimi shëndetësor të detyrueshëm prej 21 ditësh për ekipin kombëtar kongolez para se të hyjë në SHBA, si masë parandaluese në lidhje me shpërthimin e rasteve të ebolës në vendin afrikan.
Ekipi i cili aktualisht po stërvitet në Belgjikë, u detyrua të miratojë menjëherë një protokoll të rreptë shëndetësor, duke hyrë në një karantinë të mirëfilltë për të shmangur çdo rrezik që mund të rrezikonte pjesëmarrjen në turne.
Endrju Xhiuliani, kreu i grupit të punës për Kupën e Botës në Shtëpinë e Bardhë zbuloi ashpërsinë e masave. Çdo person i ri që i bashkohet grupit do t’i nënshtrohet izolimit të veçantë, me qëllim parandalimin e infeksioneve të mundshme brenda delegacionit.
Autoritetet amerikane janë të shqetësuara se shfaqja e mundshme e një rasti të dyshuar ose simptomatik, mund të rrezikojë seriozisht praninë e RD Kongos në aktivitet. Ekipi kongolez ka planifikuar të qëndrojë në Hjuston dhe do të debutojë në turne më 17 qershor kundër Portugalisë, përpara se të përballet me Kolumbinë dhe Uzbekistanin në fazën e grupeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka lëshuar një alarm të ri ndërkombëtar pas përhapjes së fundit të Ebolës në pjesën lindore të Republikës Demokratike të Kongos, ku janë regjistruar dhjetëra infeksione dhe disa vdekje të konfirmuara. Kjo situatë i ka shtyrë autoritetet shëndetësore dhe sportive të miratojnë masa të jashtëzakonshme në prag të Kupës së Botës.


