“18 vite pa futboll, e rifillova në burg” – Rrëfimi ndryshe i Salianjit pas dënimit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ndarë për herë të parë detaje nga përvoja e tij në burg, pas dënimit për kallëzim të rremë, në një intervistë të fundit.
Salianji, i cili vuajti dënimin në Burgun e Fierit, tregoi se gjatë qëndrimit atje rifilloi pas 18 vitesh të luante futboll dhe krijoi marrëdhënie të ngushta me disa nga të burgosurit.
Ai theksoi se “të burgosurit nuk janë dele të zeza”, duke ndarë dallimin mes atyre që kanë kryer vepra të rënda dhe atyre që ndodhen pas hekurave për gabime njerëzore.
“Në burg të mungon liria dhe je i detyruar të qëndrosh në një vend për shumë kohë. Kishte shumë lagështi, por pata mbështetjen e familjes dhe miqve,” – u shpreh Salianji.
Ai shtoi se shumë nga bashkëvuajtësit e tij janë njerëz të zakonshëm, që kërkojnë një shans për rehabilitim.
Rrëfimi i tij nuk mbeti vetëm personal, por mori edhe një qasje politike, duke e cilësuar vendimin e gjykatës si një precedent të rrezikshëm për të gjithë qytetarët.
Salianji kritikoi edhe reagimin e kryeministrit Rama, duke e interpretuar si një përfshirje të drejtpërdrejtë politike në një çështje gjyqësore që, sipas tij, ka pasoja të gjera për të drejtat e qytetarëve.