Altin Dumani i lë Klodian Brahos drejtimin e SPAK! Dy prokurorët shkëmbejnë dhe zyrat

Altin Dumani ka përfunduar pas 3 vitesh mandatin në postin e kreut të Prokurorisë së Posaçme, duke i lënë vendin pasuesit të tij, Klodian Brahos.
Por përveç postit të rëndësishëm, dy prokurorët kanë shkëmbyer edhe zyrat. Mësohet se Dumani është zhvendosur ditën e djeshme në zyrën që më herët mbante Braho në ambientet e godinës së SPAK-ut. Ditën e djeshme Dumani, zhvendosi në këtë zyrë aktet hetimore të dosjeve penale, duke çuar vijimin e punës si prokuror i thjeshtë, deri në një moment të dytë, kur Klodian Braho, të marrë vendimin për një riorganizim të shefave të 3 sektorëve drejtuese në SPAK, ku do qartësojë nëse Dumani do jetë shef sektori ose do vijojë të qëndrojë prokuror i thjeshtë.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zhvillimin e ceremonisë së kalimit të detyrës nga kreu aktual, Altin Dumani, te Klodian Braho që do të zhvillohet në orën 10:00, më 22 dhjetor. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar.


