Arrestimi i ish-policit në Serbi, reagon ministrja e Jashtme e Kosovës: Po punojmë për lirimin e shpejtë të tij!

Aktualitet

Arrestimi i ish-policit në Serbi, reagon ministrja e Jashtme e

Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla deklaroi se institucionet e Kosovës po punojnë për lirimin sa më parë të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u ndalua nga autoritetet serbe në 7 qershor në pikën kufitare të Horgoshit.

Gërvalla shprehu shqetësimin për shtimin e rasteve të ndalimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe, duke bërë thirrje për kujdes.

“Si zakonisht Ministria e Punëve të Jashtme, respektivisht përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Beograd, është interesuar menjëherë pranë organeve serbe për të konstatuar a janë të vërteta lajmet. Kemi informuar edhe në Kosovë dhe Beograd misionet e huaja diplomatike, kemi kërkuar ndihmën e tyre, qartësi, dhe shpresojmë që çështja mundësisht sot të sqarohet, pra ai mos të mbahet fare për 48 orë. Por, më lejoni të bëj thirrje për një kujdes të veçantë për të gjithë ata që tani që po afrohet vera kalojnë nga Serbia, për shkak se rastet e ndalesave arbitrare dhe të paarsyeshme janë shtuar gjatë muajve dhe vitit të fundit dhe nevojitet një kujdes i posaçëm, sidomos përfaqësuesit ose ish përfaqësuesit e organeve tona të sigurisë duhet të tregojnë një kujdes të veçantë kur kalojnë nëpër Serbi”, shprehet Gërvalla.

Spahiu është transferuar nga Qendra e Ndalimit në Kanjizhë drejt Suboticës, bëri të ditur avokati i tij, Arianit Koci, i cili theksoi se ka dorëzuar disa prova që, sipas tij, dëshmojnë pafajësinë e klientit, dhe shprehu besimin se ai do të lirohet së shpejti. Sipas Kocit, ish polici po merret në pyetje në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Pas dështimit të 29-të për konstituim të plotë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, Gërvalla ka kritikuar opozitën për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe ka kërkuar unitet për shtet, jo për pushtet.

“Shkelja çdo 48 orë që e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila thotë se deputetet duhet të marrin pjesë në votim, nuk është në rregull…Në këto ditë kur fjala unitet është e përsëritur, më lejoni t’iu them se ne kemi nevojë për unitet për shtet dhe jo për unitet për pushtet. Uniteti për shtet demonstrohet duhet konstituuar Kuvendin. Jam e bindur që vota e fshehtë është instrumenti më demokratik në shoqëritë demokratike”, ka thënë ajo.

Ndërsa, ka thënë se partitë tjera nuk preferojnë as zgjedhjet e reja e as nuk e sfidojnë Kurtin në bërjen e Qeverisë.

 

 

ME TE LEXUARAT