Arrestohet në Borsh Moisi Habilaj, i kërkuar prej vitesh nga drejtësia italiane

Pas disa vitesh në kërkim, është arrestuar në Borsh Moisi Habilaj, i cili kërkohej nga autoritetet italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sipas informacioneve paraprake, ndalimi i tij është kryer gjatë një operacioni policor, ndërsa ai rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa vitesh.
Habilaj është dënuar nga drejtësia italiane për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme në Shqipëri kishte dhënë më herët vendim dënimi për të dhe bashkëpunëtorët e tij për veprat penale të “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Në këtë çështje, gjykata kishte caktuar fillimisht një dënim prej 15 vitesh burg për Moisi Habilajn, i cili më pas u reduktua në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, bashkëpandehuri Nezar Seiti ishte dënuar me 12 vite burg, ndërsa në përfundim të procesit dënimi i tij u ul në 8 vite.
Në rigjykimin e çështjes, për dy të pandehur të tjerë, Maridjan Sulaj dhe Fatmir Minaj, gjykata pushoi akuzat, pasi rezultoi se ata ishin dënuar më parë me vendim të formës së prerë për të njëjtin fakt penal.
Hetimet për këtë çështje ishin përmbyllur në janar të vitit 2019 nga Prokuroria për Krime të Rënda, duke ngritur akuza për trafik të kanabisit drejt Italisë në një periudhë disavjeçare, në bashkëpunim me persona të tjerë.