Babai i policit të arrestuar në Sarandë mohon akuzat: “Objekti është i rregullt, nuk ka ndërtim pa leje”

Pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të caktuar ndaj efektivit të Policisë së Sarandës, Ajdin Islamaj, nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ka reaguar publikisht babai i tij, Gani Islamaj, i cili është edhe pronari i objektit që po hetohet.
Në një deklaratë për mediat, ai ka kundërshtuar akuzat për ndërtim pa leje, duke theksuar se godina disponon dokumentacion të plotë ligjor dhe është ndërtuar në përputhje me lejet përkatëse të miratuara nga institucionet.
Sipas tij, pretendimet e ngritura nga AMP dhe organet e hetimit nuk qëndrojnë dhe nuk pasqyrojnë realitetin faktik dhe juridik të pronës.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë se akuzat janë të pavërteta dhe krijojnë një situatë të deformuar mbi gjendjen reale të objektit”, është shprehur ai, duke i cilësuar veprimet hetimore të padrejta ndaj djalit të tij.
Gani Islamaj sqaron se objekti trekatësh në Sarandë është i regjistruar në emrin e tij dhe është i pajisur me certifikata pronësie, si dhe me leje zhvillimi dhe ndërtimi të miratuara nga Bashkia e Sarandës.
“Objekti është tërësisht i ligjshëm dhe nuk ka asnjë metër ndërtim pa leje”, thekson ai në reagim.
Ai shton gjithashtu se hoteli që funksionon në këtë godinë është i regjistruar zyrtarisht, me NIPT aktiv dhe dokumentacion të rregullt tatimor dhe tregtar.
Në deklaratën e tij, Islamaj ngre edhe shqetësime mbi mënyrën e zhvillimit të hetimeve, duke pretenduar se kontrollet në pronë janë kryer pa njoftim paraprak dhe, sipas tij, në mungesë të transparencës së duhur.
“Janë kryer disa kontrolle në pronën time pa dijeninë time si pronar dhe pa procedurat e duhura të njoftimit”, ka deklaruar ai.
Në fund, ai paralajmëron se do të ndjekë rrugët ligjore për të mbrojtur, siç thotë, dinjitetin dhe pronën e tij, duke kërkuar që institucionet të mos publikojnë informacione të pavërteta.
Ndërkohë, AMP ka bërë më herët me dije se nga hetimet dhe ekspertizat teknike dyshohet se në objekt është shtuar një kat pa leje dhe janë kryer ndërhyrje për përshtatjen e tij në aktivitet hotelerie. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga pronari i objektit.