Bashkia e Tiranës hap aplikimet për kreditë e buta, afati i fundit 19 maji! Do jepen nga 5.8 deri në 13 mln lekë, ja kush përfiton

Bashkia e Tiranës ka hapur thirrjen për aplikime për kreditë e buta. Afati për fazën e parë të aplikimeve ka nisur më 20 prill dhe përfundon më 19 maj, ndërsa kërkesat duhet të plotësohen online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.
Programi mbështet individët dhe familjet të cilët nuk kanë një banesë në pronësi, një shtëpi në rrezik shembje, banojnë në shtëpi të mbipopulluara, kanë mbetur të pastrehë, ose humbasin banesën për shkak të zhvendosjen me vendim gjykate.
Kriter është që aplikantët të kenë mbushur moshën 18 vjeç në momentin e aplikimit. Po ashtu, mund të aplikojnë familjet një prindërore që kanë në ngarkim fëmijë, familjet me më shumë se 4 fëmijë apo familjet e reja, personat me aftësi të kufizuar, jetimët, emigrantë të rikthyer dhe familjet e policëve të rënë në detyrë.
Vlera e kredive të buta ndryshon në varësi të përbërjes familjare. Për individët e vetëm, që aplikojnë për garsoniere, kredia maksimale arrin në rreth 5.8 milionë lekë. Për familjet me dy persona, që synojnë një apartament 1+1, kufiri shkon në mbi 7.1 milionë lekë. Për familjet me 3 deri në 4 anëtarë, që aplikojnë për banesa 2+1, vlera maksimale arrin në mbi 10.5 milionë lekë, ndërsa për familjet me 5 ose më shumë anëtarë, kredia mund të shkojë deri në rreth 13 milionë lekë.
Bashkia sqaron se faza e dytë e procesit, ajo e dorëzimit të dokumentacionit, do të njoftohet më vonë, ndërsa qytetarët që nuk kanë akses në sistemet elektronike mund të kërkojnë asistencë pranë njësive administrative.



