Dëmtimi dhe bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec, Policia: Në pikat kufitare po lajmërojmë shoferët për situatën

Përfaqësuesi i Policia e Shtetit, Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se menjëherë pas konstatimit të dëmtimit në aksin rrugor, strukturat përkatëse kanë ndërhyrë në terren duke marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë.
Sipas tij, shërbimet policore kanë shkuar në vendngjarje, kanë siguruar perimetrin, kanë ndërprerë lëvizjen e mjeteve në zonën e prekur dhe kanë kontaktuar me Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), si dhe me subjektet që po kryenin punimet në këtë aks.
“Në bashkëpunim me ARRSH janë vendosur normat dhe rregullat përkatëse, si dhe është bërë devijimi i lëvizjes së mjeteve në akse të tjera, sipas orientimeve të dhëna,” u shpreh Ziu.
Ai theksoi se është hartuar një plan i detajuar masash për të garantuar sigurinë rrugore në të gjitha akset, duke përjashtuar segmentin ku ka ndodhur dëmtimi.
Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Migracionit dhe Kufirit ka orientuar pikat e kalimit kufitar lidhur me situatën, si dhe për drejtimin e lëvizjes së mjeteve në akset alternative.
Detyrat e posaçme përfshijnë ndalimin e lëvizjes drejt segmentit të dëmtuar, orientimin sipas udhëzimeve të ARRSH dhe respektimin rigoroz të Kodit Rrugor.


