Rrugët e florinjta i mori lumi, Preçi: Një pjesë e projekteve hartohen me “Google Maps”, pa një verifikim real në terren

Aktualitet

Rrugët e florinjta i mori lumi, Preçi: Një pjesë e

Shembja e akseve të reja rrugore në të gjithë vendin ka rihapur debatin mbi cilësinë e punimeve publike dhe faturat e larta financiare që shoqërojnë këto projekte jashtë standardeve. Ndërsa zyrtarisht faji i drejtohet fenomeneve natyrore, të dhënat nga terreni dhe analizat e ekspertëve zbulojnë një zinxhir të thellë problematikash, duke filluar nga projektimi deri te mbikëqyrja, ku korrupsioni duket se është hallka kryesore.

Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, shumë prej këtyre problemeve nisin që në fazën fillestare. Pretendohet se projektet nisin pa studime thelbësore gjeologjike, të cilat do të parashikonin rreziqe si rrëshqitjet e dheut apo ndikimin e ujëmbledhësve. Madje, hidhen akuza tronditëse se një pjesë e projekteve hartohen duke përdorur “Google Maps”, pa një verifikim real në terren, duke anashkaluar plotësisht nevojat dhe specifikat e zonës.

Hallkë tjetër problematike, tha Preçi në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” është procesi i prokurimit. Edhe kur një tender fitohet, cilësia e punimeve komprometohet nga praktika e “nënkontraktimeve kaskadë”. Kjo do të thotë që kompania fituese ia kalon punën një kompanie të dytë, e kështu me radhë, ku fitimi ndahet në çdo nivel përpara se puna të fillojë realisht. Si pasojë, kompania që kryen punimet në terren mbetet me një buxhet minimal, çka reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e ulët të materialeve dhe zbatimit.

Supervizimi i punimeve përshkruhet si “hallka më e dobët” e sistemit. Shpesh, procesi i mbikëqyrjes karakterizohet nga konflikte të hapura interesi. Firmat që kanë hartuar projektin fitojnë edhe tenderin e zbatimit, e më pas caktojnë vetë supervizorët. Në raste të njohura të veprave publike, këta supervizorë kanë qenë familjarë të drejtuesve, si “krushku apo dhëndri”, duke e bërë të pamundur një kontroll të pavarur dhe rigoroz.

Ndërsa narrativa zyrtare fajëson shirat e rrëmbyeshëm dhe erozionin, faktet në terren tregojnë një histori tjetër. Zyrtarët kanë mohuar gërmimet në shtretërit e lumenjve pranë veprave të shembura, por pamjet filmike kanë dëshmuar të kundërtën: qindra kamionë që nxjerrin zhavorr në mënyrë të paligjshme, duke dobësuar themelet e urave dhe rrugëve. Kjo tregon se shkaku nuk është vetëm natyra, por edhe veprimtaria njerëzore e pakontrolluar dhe e lejuar në heshtje.

Pasojat e këtij sistemi të kalbur janë të shumëfishta. Përtej kostove ekonomike, ky korrupsion “varfëron dhe vret”, dëmton rëndë imazhin e vendit dhe pengon zhvillimin e turizmit. Shumë prej këtyre rrugëve, edhe pse të përuara me bujë, nuk kanë kaluar kurrë procesin e kolaudimit dhe nuk janë marrë zyrtarisht në dorëzim.

Kontratat e mirëmbajtjes, nga ana tjetër, shpesh shërbejnë si mjet për klientelizëm politik dhe jo për shërbim publik. Në fund, kur ndodh fatkeqësia, zyrtarët dalin dhe paracaktojnë rezultatin e hetimeve duke shpallur “natyrën” si fajtore, duke mbyllur kështu çdo mundësi për të vënë përgjegjësit para drejtësisë./ORA

 

ME TE LEXUARAT