Dëmtohet rruga Vllahinë –Poçëm, rrëshqitjet në gjatësi 400 metra, punimet për këtë aks përfunduan një vit më parë

Aktualitet

Dëmtohet rruga Vllahinë –Poçëm, rrëshqitjet

Një segment prej rreth 400 metrash në aksin rrugor Vlahinë–Poçëm, me gjatësi totale 15 kilometra, është dëmtuar rëndë vetëm një vit pas përfundimit të punimeve.

Problemi është evidentuar pranë fshatit Karbonar, ku rruga tashmë paraqet rrezik serioz për qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve.

Në terren duken qartë rrëshqitjet e tokës, sidomos në zonën pranë Vjosës, çka dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në amortizimin e këtij segmenti. Asfalti është dëmtuar pothuajse totalisht, ndërsa në disa pjesë janë krijuar çarje dhe deformime të theksuara.

Situata bëhet edhe më alarmante pasi një banesë, e pozicionuar në kodër mbi këtë segment rrugor, rrezikon shembjen për shkak te zhvendosjes së tokës.

Banorët shprehen të shqetësuar dhe thonë se dëmtimet janë përkeqësuar nga dita në ditë.

Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin e terrenit, ndërtimin e mureve mbajtëse, sistemimin e skarpateve dhe rehabilitimin e plotë të rruges së dëmtuar.

Ndërkohë, deri në marrjen e masave, drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit në këtë aks rrugor.

ME TE LEXUARAT